Shkrimtari i njohur Skënder Sherifi ka qenë i ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ku ka folur gjatë për jetën dhe karrierën e tij. Që në moshën 1 vjeç e gjysmë ai ka emigruar me prindërit në Belgjikë dhe po aty vijon të jetojë ende, por pa i shkëputur lidhjet me rrënjët e tij shqiptare.

Skënderi ka rrëfyer se babai i tij ka qenë një burrë që edhe pse ndodhej në Bruksel dëshironte t’i vazhdonte traditat dhe zakonet e veriut, prandaj organizonte oda me burra të cilët kishin një kod sjellje dhe bisede, pinin kafe, cigare dhe raki sipas traditave dhe filloi të mblidhte të gjithë burrat shqiptarë që ndodheshin në Belgjikë dhe Francë. Skënderi ishte ende fëmijë, ku i është dashur të jetojë dy jetë paralele, atë brenda një ode dhe atë jashtë ode me shok e miq belgë të cilët kishin një mënyrë jetese tjetër.

Skënder Sherifi: Kur shkova në Belgjikë isha 1 vjeç e gjysmë. Fillova të flisja pak shqip me familjen, shqipja e shtëpisë me dialektin e veriut. Në një moment baba im mbate oda tradicionale në Bruksel, ishte amator i riteve të veriut. Ishte paradoks i madh që në kryeqytetin e Belgjikës të mbash oda si në Malësinë e vjetër. Mblidhte ata burrat dhe pinin cigare, raki, kafe, me të gjitha ritualet. Kishin një kod për bisedimet.

Fillonte ai kryesori me hap fjalën, të tjerët e merrnin me radhë. Una isha fëmija i madh i tij më merrte për veshi dhe më thoshte hajde hyr në oda dhe të dëgjosh muhabetet e burrave dhe me i shërby dhe i dëgjoja muhabetet e burrave. I ndezja cigareve me dorë në zemër, i mbushja gotat, i mbështillja një duhan për nderin e ketij, e atij. Për mua ishte si një film.

Mirela Milori: Kur dilje nga oda, një fëmijë 14 vjeç që iu shërbeje këtyre burrave që dukeshe sikur vinin nga një shekull tjetër dhe duhet të jetoje në Bruksel. Si e përballove?

Skënder Sherifi: Një realitet tjetër, kur je në oda dukesh sikur je në një filmë e në kokën tënde thua jam në një film shqiptar, një botë e mbyllur një farë getoje, shqiptarofone brenda kryeqytetit europian , jetoja jetë paralele dhe i thoja vetes është një film, teatër interesant. Mundohesh t’i kuptosh se çfarë domethënë ky film dhe teatër.

Mirela Milori: Po shokëve të tu belg ia tregoje këtë gjë?

Skënder Sherifi: Unë nuk ia tregoja këtë gjë shokëve këto gjëra, vetëm kur vinin tek shtëpia ndonjëherë si mysafirë, hynin në oda. Femrat vinin me një tabaka në dorë që t’i shërbenin meze, raki, kafe e dilnin direkt, nuk uleshin të bisedonin me burrat. /tvklan.al