Fredi, një telefonues në “Aldo Morning Show” në Tv Klan përshkroi në program jetën e tij. Ai rrëfen se gjatë fëmijërisë është dhunuar nga babai aq sa ka humbur dëgjimin nga njëri-vesh. Vite më vonë, pësoi një aksident me motor prej të cilit mbeti i paralizuar për 3 vite.

Fredi: Nga  klasa e parë deri në klasë të tetë kam ngrënë dajak nga babai. Kam pasur hallën në klasë, kemi qenë moshatarë.

Aldo: Një sekondë, ti ke qenë moshatar me hallën tënde, me motrën e babait?

Fredi: Po, po. Halla ka qenë moshatare me mua se lindi gjyshja me mamin tim njësoj.

Aldo: E qartë, kuptoj.

Fredi: Halla ishte me 10-ta.

Aldo: Ti ishe me 5-a.

Fredi: Me 4-a o shok, por kur shkonte halla te shtëpia spiunonte te babi dhe ai përvishte mëngët, fut e bjer derisa më shurdhoi edhe një vesh. Gjyshja, mamaja e hallës i thoshte babit “bjerit qenit, bjeri qenit!”

Aldo: Seriozisht e ke?

Fredi: Iku klasa e tetë, shkova ushtar, u hapën ambasadat, kam qenë te plastika. Më thotë babi “aman mos ik te ambasadat se nuk e ha dot babi internimin”. Mirë, i thashë unë, s’po iki dhe ndenja. U hap porti, i pari babai. Pas babait hipa dhe unë dhe ika. Erdha në Shqipëri, bleva motor, 3 vjet i paralizuar, bëra karambol.

Aldo: Obobo!

Fredi: Shpëtova, u çova në këmbë. Sa u çova, bleva motor, dola te lagjja kështu duke i thënë të tjerëve jam gjallë akoma. Kam qenë dhe i martuar me fëmijë.

Aldo: Po martesa si erdhi se e kalove kështu, bam-bam?

Fredi: Isha i martuar përpara se të vritesha se u martova i ri se isha qejfli.

Aldo: Të bëri druri i babait qejfli?

Fredi: Iku dhe kjo. Pas shumë vjetësh e takoj babin në Itali dhe i them si more babë, më  rrahe, më ke shurdhuar edhe një vesh, më ke shtrirë në tokë, po si s’më nxore as profesor, as doktor, të ka ikur mundimi kot!

Aldo: Kur thua “më ke shurdhuar një vesh”, e ke seriozisht ti këtë?

Fredi: Ore më ke shurdhuar veshin, më ke rrahur, më ke bërë të vdekur, si s’më nxore as doktor,  as profesor? Të iku dajaku kot, je lodhur kot!

Fredi, i cili sot është 55 vjeç, thotë se është “divorci i prindërve që e la gjallë” pasi ata u ndanë kur ai ishte rreth 13 vjeç./tvklan.al