Programi “Historia ime”, në Tv Klan ditën e sotme solli historinë aspak të thjeshtë të familjes së Dhurata Koka. Ajo dhe bashkëshorti i saj kanë kaluar probleme të shumta shëndetësore dhe janë detyruar që të jepnin për adoptim vajzën e tyre.

Mirela Milori: Kur u bë kjo marrëveshje u vendos që vajza do të takonte rregullisht, që do ta sillnin të të shikonte. Si ratë dakord?

Dhurata Koka: Unë rashë dakord kështu. E pashë veten bashkë me bashkëshortin që nuk po ecnin gjërat ashtu siç duhesh, e pamë që nuk po trajtoheshim nga mjekët ashtu siç duhesh dhe përfundimisht thashë, jeta jonë ka marrë fund dhe të paktën kjo të ketë një strehë, të jetë e përkrahur nga dikush.

Mirela Milori: Je e qetë që e dhe vajzën për adoptim?

Dhurata Koka:  Unë vetëm për këtë jam e qetë, them: O Zot vetëm atë vajzë të kem mirë, asgjë tjetër.

Mirela Milori: Dhurata të merr malli për vajzën?

Dhurata Koka: Është një përgjigje shumë e rëndë. Ku ka nënë që nuk e merr malli për fëmijën (Qan).

Mirela Milori: Flet me kunatën për vajzën?

Dhurata Koka: Jo nuk flasim, nuk komunikojnë me mua fare.

Mirela Milori: Pse? A u bë me mirëkuptim ky adoptim, pse nuk komunikon më me kunatën?

Dhurata Koka: Ngaqë unë jam sëmurë.

Bashkëshorti i Dhuratës shprehet se kanë qenë shumë sëmurë, nuk e dinin nëse do jetonin dhe meraku i tyre i vetëm ishte vajza. Ishte motra e tij, e cila bëri të gjitha dokumentet dhe e birësoi vajzën.

Ai shprehet se në bazë të rregullave, deri sa vajza e tyre të bëhet 18 vjeç nuk mund të takohen me të.

Mirela Millori: Shpresoj të jeni mirë me shëndet dhe ju, se keni patur një problematikë me zemrën dhe janë situata të vështira për t’u menaxhuar këto me shëndetin. Por me vajzën, me motrën tënde komunikon normalisht për vajzën?

Bashkëshorti: Tani dokumentet që ne kemi bërë, që kemi dhënë firmat, ajo i mori tek të gjitha institucionet, deri në ambasadë, me noterë në Itali dhe siç më ka thënë motra ca kohë përpara, që aty kanë një ligj që deri në moshën 18 vjeç nuk të lejojnë të komunikosh me fëmijën, se unë e kam bërë birësim jo që ta mbajë motra. Domethënë njihet fëmija i tyre pavarësisht se është fëmija jonë, ata i kanë bërë të gjithë dokumentat që ta marrin mbi vete fëmijën.

Mirela Milori: Unë e kuptoj këtë, por a keni patur një marrëveshje vëlla-motër? Pse është krijuar ky ngërç në marrëdhëniet tuaja?

Bashkëshorti: Motra është betuar që do ta mbajë fëmijën shumë mirë, se ne ishim në gjendje shumë të keqe, të dy duke vdekur, të dy ishim në spital, kjo në Tiranë, unë në Durrës. Kam bërë dy herë koronare, kam trashje gjaku plus çereku i zemrës nuk punon. Tani marrëveshja me motrën, motra thotë do ta mbaj sa më mirë fëmijën, ajo ka 3 goca, por i ka të fejuara, të martuara.

Mirela Milori: Kur ke folur për herë të fundit me vajzën?

Bashkëshorti: Tani nga pandemia, kanë qenë të izoluar, edhe pa punë, motra, burri i motrës, probleme siç kanë qenë edhe këtu. S’kanë pasur edhe ata lekë të mbushnin telefonat, kemi patur kështu…

Mirela Milori: Keni komunikuar me mesazhe?

Bashkëshorti: Me telefon.

Mirela Milori: E shikon kur flet apo vetem në telefon i dëgjon zërin?

Bashkëshorti: Vetëm me mesazhe!

Mirela Milori: Je i qetë që ke bërë gjënë e duhur për vajzën tënde?

Bashkëshorti: Ai Zoti e di, se unë e kam dashur shumë dhe e kam mbajtur afër, e çoja në shkollë, e merrja./tvklan.al