Elidon Karaj është divorcuar dhe nga martesa ka nje vajzë, që sot është 11 vjeç. Ai thotë se ka 7 vjet që nuk e takon fëmijën, megjithëse në vendimin e gjykatës i mundësohet takimi të shtunën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Nëna e vajzës refuzon takimin me të atin. Elidoni tregon se e ka shlyer detyrimin e pensionit ushqimor, por përmbaruesi shtetëror nuk bën dot ekzekutimin e vendimit. Sot çështjen ia ka besuar një përmbaruesi privat. 

Kam mbi 6 vjet që jam i divorcuar dhe në 2017 është bërë divorci që jemi ndarë me gjykatë. Unë nuk e kam parë fëmijën tim asnjëherë, as jam afruar as e kam parë te shkolla, më është ndaluar rreptësisht. Unë dua që të gjej një të drejtë se nuk po më hapet asnjë derë që mua të më ndihmojë ose të më japi të drejtën si baba që unë ta takoj fëmijën tim. Është vendosur që unë ta takoj vajzën time dy herë në muaj, të shtunën e parë dhe të shtunën e tretë të çdo muaji. Që në atë moment unë nuk e kam takuar asnjëherë fëmijën tim, nuk ma ka lejuar ish-bashkëshortja dhe pse kam një vendim gjykate edhe nuk po gjej dot asnjë zgjidhje. Më takon që ta takoj fëmijën tim apo jo, sepse kam 7 vjet që nuk e kam parë asnjëherë”, thotë Elidon Karaj.  

Kamera e “Stop” ishte një të shtunë, kur duhet të ndodhte takimi, por dera nuk u hap e takimi sërish nuk u realizua.

Stop: Po tani si procedohet për të hapur derën?

Përmbaruesi: Për rastin erdhëm, me një proces verbal. Jemi në kushtet e pengim-ekzekutimi, i drejtohemi organeve përkatëse për të marrë masa.

Stop: Do shkojmë te Policia?

Përmbaruesi: Veprim të cilin e kemi kryer, kemi bërë kallëzim një javë më parë, si edhe i jemi drejtuar Prokurorisë.

Juristi Armando Tragaj shpjegon, se pengimi i ekzekutimit të vendimit të gjykatës është vepër penale që dënohet me gjobë e deri në dy vjet heqje lirie.

Në rastin konkret nëse nëna nuk e lejon fëmijën të takohet, përbën vepër penale, pra pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, i cili parashikon si një dënim deri në 2 vjet burg dhe më duhet të them që në raste të ngjashme gjykatat kanë marrë dhe vendimin e dënimit ekstrem me burgim duke ndryshuar kujdestarinë duke ia dhënë atë prindit tjetër. Aq më tepër, duke u kthyer sërish te rasti konkret, që prindi i cili i është drejtuar emisionit tuaj, ka shfaqur korrektësi në zbatimin e vendimit të gjykatës duke i paguar pensionin ushqimor dhe detyrimet e tjera që rrjedhin nga ky vendim dhe nuk ka mundur ta takojë fëmijën”, thotë juristi Armando Tragaj.

Psikologia Denada Toçe shpjegon traumën që i shkaktohet fëmijës në këtë rast, traumë që e mbart me vete gjithë jetën.

“Në modelet e prindërimit do duhet të jenë të dy prindërit. Këtu kemi të bëjmë me një cënim të gjendjes psikologjike dhe afektive. Shpeshherë prindërit në atë egoizmin e divorcit për arsye nga më të ndryshmet nuk i mendojnë pasojat që mund të lënë tek fëmija. Nuk i mendojnë edhe ndjesitë e fajit që fëmija ka, duke menduar ndonjëherë edhe se prindi nuk e do. Tani kemi të bëjmë me një vështirësi që fëmija do ta ketë, do ta përjetojë gjatë fëmijërisë së tij, gjatë adoleshencës së tij dhe do lërë pasoja edhe në vendosjen e një perceptimi të marrëdhënieve në të ardhmen dhe në marrëdhëniet e tij ndërpersonale apo në marrëdhëniet e shumta të tij sociale. Ndikon në aspektin psiko-afektiv të fëmijës. Kushdo qoftë babai, do duhet vendosur ky kontakt si një model domethënës i krijimit të këtij lloj afeksioni atësia që meriton padiskutim sikundër dhe  mëmësia të jenë pranë fëmijës si dy persona që e kanë sjellë në jetë si produkt i dashurisë së tyre, pavarësisht se ata nuk janë më me njëri-tjetrin”, shprehet psikologia Denada Toçe.  /tvklan.al