“E goditi me thikë dhe ajo nisi të bërtiste. Ai e kapi nga fyti e më pas e goditi edhe 7 herë të tjera…”

E vrau vajzën e tij 20-vjeçare sepse mendonte se ajo po ‘flakte tutje jetën’ duke përdorur drogë. Për këtë arsye e goditi të bijën 8 herë me thikë duke i marrë jetën.

Detajet e rënda u zbuluan në seancën gjyqësore të zhvilluar ndaj babait shqiptar Petrit Lekaj, i cili në Korrik të vitit që lamë pas vrau vajzën e tij Sabrina, gjatë kohës që ktheheshin në Hungry Jack, në Adelaide të Australisë.

E reja u gjet e vrarë brenda makinës së saj Mercedez Benz, 250 metra larg shtëpisë së familjes në Kidman Park.

Lekaj u shpall fajtor për vrasje në Gusht dhe dënimi për të do të jepet javën e ardhshme. Gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme, avokati i tij tha se babai nuk mund të shpjegonte veprimet e tij.

Lekaj, një njeri i njohur në komunitetin shqiptar që jeton në Adelaide, mori me vete një thikë 15 centimetra teksa e shoqëroi të bijën me makinë për të blerë ushqim.

Ndërkohë që ndodheshin në automjetin që ia kishte bërë dhuratë për ditëlindje të bijës, ai e përballi atë për stilin e jetesës dhe përdorimin e drogave.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike DailyMail, ai i kishte thënë të bijës se po “flakte tutje jetën”, ndërsa ajo iu ishte përgjigjur se “nuk ia ndjente”.

Në gjykatë u tha se Lekaj e kishte marrë thikën për ta trembur të bijën, por ai e nxori atë nga pantallonat dhe e goditi në bark ndërkohë që ajo po shikonte nga dritarja e pasagjerit. Teksa ulërinte për ndihmë, ai doli në sediljen e pasme duke e kapur nga fyti e më pas e goditi edhe 7 herë të tjera me thikë.

Pas vrasjes, Lekaj u gjet pranë trupit të së bijës me plagë në trup dhe u dërgua në spital.

Prokurorja Melissa Wilkinson në gjykatë tha: “Ai i tha policisë së besonte që e vajza po shpërdoronte jetën e saj dhe i akuzuari iu përgjigj duke i marrë asaj jetën”.

Ndërsa avokati mbrojtjes u shpreh se gjykatësi duhet të merrte në konsideratë faktin se Lekaj kishte pranuar menjëherë se kishte vrarë ‘dritën e syve të tij’.

Në Dhjetor prokuroria në Australi zbuloi të shkuarën kriminale të shqiptarit. Sipas dosjes, të publikuar nga The Advertiser, akuzat që lidheshin me drogën datojnë që në Gusht të 1996-s, kur ishte dënuar me burg për përfshirjen e tij në shitjen e substancave narkotike.

Një vit më vonë ai u shpall fajtor për shitje të heroinës. 49-vjeçari vuajti dënimin me 2 vjet burg. Në 2007-n Lekaj u dënua dhe u gjobit me 200 dollarë për posedim kanabisi.

2 vjet më vonë, shqiptari u gjobit me 900 dollarë, në Shtator të 2009-s, pasi u zbulua se kishte kultivuar më shumë bimë kanabisi nga sa i lejohej, ashtu sikurse edhe për posedim të pajisjeve për kultivimin e drogës.

Miqtë e përshkruajtën Sabrina Lekajn një shoqe shumë të mirë dhe një studente të shkëlqyer.

“Nuk mund ta besoj që po shkruaj këtë. E bukura ime Sabrina. Një pianiste tejet e talentuar, njeri që synonte lart. Të dua. Gjithmonë në zemrat tona“, shkruante një mikeshë e saj pas vdekjes.

20-vjeçarja studionte në Universitetin e South Australia për piano dhe imazheri mjekësore./tvklan.al