Krimi i rëndë tronditi opinionin publik në Australi

Petrit Lekaj, shqiptaro-australian, ka pranuar vrasjen e vajzës së tij Sabrina Lekaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin Korrik në qytetin Adelaide në Australi.

20-vjeçarja u gjet e therur me thikë e ulur në sediljen e pasagjerit brenda një “Mercedesi” luksoz. Në vendin e shoferit krah saj, u gjet i plagosur babai, Petrit Lekaj, me dëmtim në pjesën e barkut. Krimi kishte ndodhur disa metra larg banesës së familjes Lekaj.

49-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital për trajtim mjekësor dhe gjendja e tij u stabilizua. Pas daljes nga spitali, Petrit Lekaj u mbajt në paraburgim, kurse më vonë u dërgua në një institucion të shëndetit mendor. Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të hënë, Lekaj pranoi se kishte qëlluar për vdekje me thikë vajzën e tij. Petrit Lekaj pritet të dalë sërish para gjykatës më 25 Nëntor, pasi prokurorët kërkuan një shtyrje 12-javore për shkak të hetimeve.

Sabrina Lekaj studionte për mjekësi. Shoqja e saj e ngushtë, Kat Valstar 21 vjeç është shprehur për mediat se Sabrina ishte e shqetësuar se do të debatonte me të atin. Kjo sepse mbrëmjen e së shtunës vajzat kishin dalë në një lokal nate dhe pasi u kthyen, Sabrina e kaloi natën në shtëpinë e shoqes së saj Kat. Kjo e fundit filloi të shqetësohej kur Sabrina nuk po i përgjigjej në telefon të dielën. Të hënën, Kat Valstar mori lajmin shkatërrues se shoqja e ngushtë kishte vdekur.

“Ajo ishte e sjellshme, e kujdesshme, shumë e zgjuar dhe shumë e mirë me miqtë. Ne ishim shoqe të ngushta, flisnim dhe dërgonim mesazhe çdo ditë”, thotë ajo, duke sqaruar se Sabrina ishte e irrituar me babain e saj, pasi javët e fundit Petrit Lekaj e pyeste vazhdimisht nëse kishte të dashur. /tvklan.al