LAJM I PËRDITËSUAR | Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të premteje pranë Gjykatës së Tiranës. Një person mbeti i vrarë ndërsa një tjetër i plagosur si pasojë e të shtënave me armë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal, në afërsi të gjykatës. Burime për tvklan.al thonë se një person ka hapur zjarr duke vrarë ish-dhëndrin e tij, të identifikuar si Kudret Saliaj ,41 vjeç dhe duke plagosur avokatin e viktimës.

Mësohet se çifti ishte në proces divorci. Sa i përket avokatit që mbeti i plagosur ai është ish-prokurori Adriatik Cama. Ky i fundit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Mexhit Picari, 53 vjeç. Ai mësohet se qëlloi me pistoletë ndërkohë që viktima dhe avokati i tij ndodheshin të ulur në lokal. Më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Krimi ndodhi në një zonë tejet të frekuentuar, në një kohë kur në lokal kishte qytetarë të shumtë.

Padia për divorc ishte paraqitur nga viktima Kudret Saliaj më 24 Dhjetor të 2020 dhe deri më tani ishin zhvilluar 4 seanca. Sot në orën 12:00 zhvillohej seanca e pestë. Çifti i bashkëshortëve kishin 3 fëmijë.

Historia e Dhurata Saliajt nuk është e panjohur për publikun. Kjo pasi më 9 Nëntor të 2020-s, së bashku me të atin Mexhit Picari, autorin e këtij krimi të rëndë, historinë e saj e rrëfeu në emisionin “Uniko”, në Klan Plus të gazetarit Spartak Koka.

E gjithë dëshmia e Mexhit Picarit për konfliktin me ish-dhëndrin 7 muaj para vrasjes

Mexhit Picari është autori i vrasjes së ish-dhëndrit të tij 41-vjeçar, Kudret Saliaj dhe plagosjes së avokatit Adriatik Cama, në ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të premte në Tiranë. 53-vjeçari u vu në pranga nga efektivët e policisë pak kohë pas krimit. Ka qenë ndarja e vajzës së autorit, Dhurata Saliajt me ish-dhëndrin Kudret Saliajn që ka agravuar situatën në familje dhe që përfundoi me një viktimë.

Historia e tyre për herë të parë është trajtuar publikisht në emisionin “Uniko”, në Klan Plus nga gazetari Spartak Koka, më 9 Nëntor të vitit të kaluar. Asokohe Picari rrëfeu një histori, ku i përlotur shprehej se ish-dhëndri i kishte folur me fjalë banale se “pa ta prurë gocën copa-copa nuk kam me të lënë”.

“Po mirë thashë, pash Zotin mos ma godit gocën, ma bjer në shtëpi. Më foli një fjalë banale se ‘unë pa ta prurë gocën copa-copa nuk kam me të lënë’ tha ky. Çfarë je duke fol i thashë. Çfarë do që të ketë bërë goca i thashë ma bjer mua si prind. ‘Do vij te lokali’, tha. Mirë thashë, ma bjer se isha me gjithë nusen. Kisha hall mos i binte gocës. Unë e dija që i kishte marrë leje. I kishte thënë në darkë që do shkoj në spital. Goca kishte thënë që në mëngjes që do të shkoj në spital se jam në gjendje të rëndë se i dhimbte koka. Erdhën këta kur prisja telefonatën, ky nuk u përgjigj.

Më mori në telefon, më tha, “Mexhit jam tek shtëpia”. I thashë po ti më the që do vish te lokali. Jo tha “miqtë priten në shtëpi”. Kishte lënë makinën tek porta jashtë. Vjen dhe shoh unë këtë (gruan) të mërzitur. Edhe goca ishte e mërzitur, e zvarritur komplet, ishte e çorientuar, ishte e rraskapitur. I thashë, “hë mor bab ça ka”? “Kam qenë në spital”, tha. “A i the burrit moj?” “Po”, tha “edhe në mëngjes edhe në darkë”. I them këtij (Kudretit) “hë mor a të ka marrë leje goca”. “Po në darkë po” tha. “Ti më the në telefon jo” i thashë. Po në mëngjes a të ka marrë? Iu mor njëherë goja dhe po tha, më ka marrë. Më tha “nuk vij më në shtëpinë tënde se goca ka ikur vetëm në spital”. I thashë pse, jemi në 2020 si ikën? Ti e ke çuar në punë vetëm, po të ishe aq xheloz gocën mos e çoje në punë. “Jo, unë nuk e dua më, unë do t’ju vras”. E tha dhe këtë, më bëri presion psikologjik dhe kërcënim. Mua më bëri presion këtu. Bëri kërcënim, më tha unë do t’ju vras, do t’ju bëj, do t’ju kthej nëse ju tentoni të bëni ndonjë gjë.

Thashë nuk e do, nuk e do, por kështu si e keni bërë ju, nuk është mirë që ta rrihni, ta mbani, se e kishin rrahur 15 ditë më përpara dhe unë nuk kisha dijeni. Kur ma ka treguar vajza jam shumë i mërzitur për këtë rast që nuk më kanë treguar”, tregonte ai.

Mexhit Picari tregonte edhe një histori të shumë viteve më parë ku kishte kapur dhëndrin e tij duke u konfliktuar fizikisht me persona të tjerë. Sipas tij, sherri kishte ndodhur për konflikte banale, ku ishin të përfshira edhe disa vajza. 53-vjeçari rrëfente se në atë kohë i tregoi vajzës së tij për historinë e bashkëshortit, ndërsa ky i fundit i kishte kërkuar ndjesë.

“Unë e kam kapur vetë para 10 viteve, kam kapur Kudretin (bashkëshortin e vajzës), e kam kapur te KMY te lokali, e kemi kapur, edhe baba i vetë, e kemi parë me goca, lidhje jashtë martese. Kur kam shkuar unë, e kam gjetur të çarë këtu te nofulla, edhe kanë qenë 4 çuna duke u zënë për punë femrash. Kur e kam parë me gjak kështu, ju kam thënë policia, unë kam qenë punonjës policie. Ju kam thënë mos se policia këtu. Ata direkt e kanë lënë, edhe më tha mik më shpëtove, hallall ta bëftë Zoti. Po ç’na bërë kështu more dhëndër. Po ti je i martuar, a ke turp i thashë. A ke turp që zihesh për punë femrash? Ti je i martuar, ke fëmijë. Tha bëra gabim, po më fal. Edhe unë i thashë gocës, erdhi dhe i thashë për mua lëre se ky nuk i heq huqet. Na ka marrë malli për nipërit, ju kanë bërë presion”, shprehej ai.

Ka qenë pikërisht ndarja e vajzës me viktimën Kudret Saliaj që ka agravuar situatën në familje. Ngjarja ka nisur në muajin Tetor 2020 ku nusja e shtëpisë, Dhurata, pretendonte se bashkëshorti i saj, Kudreti, e kishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit dhe e kishte çuar tek shtëpia e babait duke mos i lënë asnjë mundësi për të takuar 3 fëmijët.

Brenda familjes ka pasur akuza dhe kundërakuza, pretendime për tradhti bashkëshortore, mosmarrëveshje dhe deklarata për dhunë fizike dhe psikologjike.

Arrestohet Mexhit Picari, autori i vrasjes në Tiranë

Drejtori i Policisë së Tiranës njoftoi arrestimin e Mexhit Picarit, personit i cili mesditën e kësaj të premteje vrau me armë zjarri ish-dhëndrin Kudret Saliaj dhe plagosi avokatin e tij Adriatik Cama.

“Ajo që doja të ndaja me ju, si rezultat i kontrolleve të shpejta u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Për hollësi të tjera do t’ju njoftojmë më pas. Autori ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e saj. Bashkëshortja e vet ka qenë e arrestuar për probleme të dhunës në familje, kështu që po bëheshin seancat për divorc, në këto kushte babai i vajzës ka vrarë ish-dhëndrin e vet. Gjatë kësaj ngjarjeje është plagosur edhe avokati i cili ishte në tavolinë bashkë me viktimën”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj në një prononcim për gazetarët nga vendi i ngjarjes.  

Jaupaj konfirmoi po ashtu se në vendin e ngjarjes ka pasur dëshmitarë okularë. “Është dokumentuar plotësisht autorësia”, shtoi ai.

Pak çaste pas krimit | Avokati i tronditur në karrige, viktima i mbuluar nga gjaku përtokë (Foto)

Klan News ka mundur të sigurojë një foto të fiksuar pak çaste pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të premteje në Tiranë, ku mbeti i vrarë Kudret Saliaj dhe u plagos avokati i tij Adriatik Cama.

Në foto shihet trupi i pajetë i 41-vjeçarit i mbuluar nga gjaku, ndërsa avokati Cama, ndodhet i ulur në karrige. Tronditja në fytyrën e tij është lehtësisht e dallueshme, ndërsa në këmishën e bardhë dallohen shenjat e gjakut.

Autor i këtij krimi të rëndë është 53-vjeçari Mexhit Picari, ish-vjehrri i viktimës. Kudret Saliaj dhe vajza e autorit Dhurata ishin në proces divorci prej Dhjetorit të vitit të shkuar.

Këtë të premte ata kishin seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës, në afërsi të së cilës ndodhi dhe ngjarja.

Foto| Kush është Mexhit Picari, autori i vrasjes së ish-dhëndrit dhe plagosjes së avokatit të tij

Ky që shihni në këtë foto është Mexhit Picari, personi i cili mesditën e kësaj të premteje vrau me armë zjarri ish-dhëndrin Kudret Saliaj dhe plagosi avokatin e tij Adriatik Cama.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës, aty ku viktima dhe i plagosuri po pinin kafe.

Ish-dhëndri dhe vajza e Picarit, prindër të 3 fëmijëve ishin në proces divorci që prej Dhjetorit të vitit 2020. Këtë të premte në orën 12:00 zhvillohej seanca e radhës.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë Mexhit Picari u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga policia e Tiranës pak kohë më vonë.

“E vrava për dinjitetin e vajzës…” Çfarë i tha policisë Mexhit Picari, ish-vjehrri i viktimës

Klan News ka mundur të zbardhë dinamikën e ngjarjes së rëndë me një të vrarë dhe një të plagosur të ndodhur mesditën e kësaj të premteje në Tiranë.

Kështu, në orën 12:00 bashkëshortët Saliaj do të zhvillonin seancën e radhës të divorcit në Gjykatën e Tiranës. Në pritje të nisjes së saj, palët po pinin kafe në të njëjtin lokal në zonën e ish-Ekspozitës në kryeqytet.

Mexhit Picari ndodhej në tavolinë me vajzën e tij Dhuratën, ndërsa ish-dhëndri Kudret Saliaj dhe avokatin e tij Adriatik Cama në një tavolinë tjetër. Në këtë moment, Mexhit Picari është ngritur nga tavolina dhe iu është afruar ish-dhëndrit duke e qëlluar me pistoletë. Kudret Saliaj gjeti vdekjen në vendngjarje, ndërsa avokati i tij mbeti i plagosur.

Në foto viktima Kudret Saliaj

Menjëherë pas krimit, Picari u largua në këmbë mes pallateve. Ai u arrestua pak kohë pas ngjarjes në zonën e Yzberishtit, në shtëpinë e vajzës së tij.

Në dëshminë e parë të dhënë për oficerët e policisë, Mexhit Picari mësohet të jetë shprehur se gjithçka kishte bërë, e kishte bërë për dinjitetin e vajzës, sepse sipas tij ish-dhëndri e kishte akuzuar pa të drejtë.

Mexhit Picari ishte është ish-polic i Burgjeve dhe armën mësohet se e kishte pa leje.

Kush është avokati që u plagos në Tiranë, dikur ish-prokuror

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Tiranë ku një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Burime paraprake për tvklan.al thanë se një person hapi zjarr dhe vrau ish-dhëndrin e tij, ndërsa plagosi avokatin e viktimës.

Avokati i plagosur është identifikuar dhe bëhet fjalë për Adriatik Camën. Cama ka qenë prokuror dhe aktualisht ushtronte profesionin e avokatit. Ai është aktualisht avokati mbrojtës i efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i cili më 8 Dhjetor të vitit të kaluar vrau Klodian Rashën.

Adriatik Cama u shkarkua si prokuror i Prokurorisë së Tiranës nga KPK-ja më 12 Korrik të vitit 2018. Sipas dosjes në Vetting, një raport nga DSIK ngrinte dyshime për përfshirjen e Camës në një aferë korruptive në vitin 2005, kohë kur ai drejtonte Prokurorinë e Lushnjes. Sipas KPK, bashkë me një prokuror tjetër, Cama kishte marrë para nga familjarët e një personi të proceduar për “kontrabandë” për të pushuar hetimet ndaj tij. Në raport thuhej se Cama kishte zëvendësuar prokurorin e çështjes me një tjetër, i cili në 2 Qershor 2005 kishte pushuar çështjen.

Sipas trupës së KPK, Adriatik Cama ishte person i mundshëm për t’u vënë nën presionin e personave të inkriminuar, sepse kishte pasur kontakte të papërshtatshme duke shkëmbyer dhurata apo favore me persona të përshirë në krimin e organizuar. Ky pretendim u kundërshtua me forcë nga ana e prokurorit Cama. Edhe kontrolli i pasurisë kishte vërejtur disa probleme në pasuritë e prokurorit ku KPK vlerësoi se ka mungesë burimesh të ligjshme për një përqindje të tyre.

Cama ka qenë prokuror edhe në çështjen e atentatit ndaj aktorit Mishel Prela Manoku, ngjarje e ndodhur në Korrik të vitit 2017. Një nga çështjet e bujshme që ka përfaqësuar si ish-prokuror Cama ka qenë edhe procesi ndaj ish-deputetit Mark Frroku./tvklan.al