Fredi Alizoti:

Erdhi me mori drejtori i policisë së gjithë Shqipërisë…

Prokuroria e Krimeve të Rënda e mohoi këtë thënie të Fredi Alizotit e regjistruar në video-përgjimin që deputeti Salianji publikoi në studion e “Opinion”.

Në një sqarim të Prokurorisë thuhet se, kur Fredi Alizoti u mor në pyetje në datën 1 Qershor, ai u soll në Tiranë nga drejtuesit e policisë së Fierit.

Ky shtetas është shoqëruar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda nga Drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier pas komunikimit me sallën operative të kësaj Drejtorie po në këtë datë. Nga Drejtues të Policisë Fier është komunikuar me Prokurorin e çështjes ku është vënë në dijeni për bisedën telefonike të bërë dhe, nga ana e prokurorit të çështjes u është kërkuar drejtuesve të policisë Fier, shoqërimi i këtij shtetasi për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Një tjetër moment qe sqaron prokuroria është ajo e autenticitetit të materialeve që dërgoi për ekspertim në Angli.

Lidhur me materialin e dërguar për ekspertim sqarojmë së objekt ekspertimi është DVD-ja ja e sekuestruar në Partinë Demokratike nga deputeti Enkelejd Alibeaj si përfaqësues i kësaj force politike.

Shtetasi Jetmir Olldashi nuk ka dorëzuar në asnjë moment materialin origjinal si dhe mjetet, me të cilat është pretenduar se është realizuar audio-përgjimi që lidhet me bisedën e pretenduar të zhvilluar midis shtetasve Albert Veliu dhe Geron Xhafaj duke pretenduar se nuk e disponon më dhe kopje të tij ia ka dorëzuar shtetasit Ervin Salianji.

Po sipas Prokurorisë, ekspertiza nuk u krye në Itali për shkak të legjislacionit të vendit fqinj.

Prokuroria sqaroi në njoftim se Fredi Alizoti ishte në përgjim që në Maj, pas bisedave me ish skafistin Albert Veliu i njohur si “Babalja”.

Organi i akuzës ka publikuar edhe versionin e dëshmisë së Alizotit, sipas të cilit atij dhe skafistit të njohur si “Babalja” iu premtua 200 mije Euro për të inskenuar bisedën me Agron Xhafajn.

Tv Klan