Mirditë / Sekuestrohen 31 kilogramë kanabis, vihen në pranga 4 shtetas, 2 prej tyre babë e bir. Të arrestuarit e mbanin lëndën narkotike në automjet dhe në banesë, me qëllim shitjen e saj.

2 grupe operacionale nga Policia e Lezhës dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, të angazhuara paralelisht për finalizimin e operacionit antikanabis të koduar “Mashtërkor”.

Sekuestrohen lënda narkotike, 2 automjete dhe 2 aparate celulare.

Në vijim të operacioneve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, 2 grupe operacionale me efektivë të Komisariatit të Policisë Mirditë, DVP-së Lezhë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar paralelisht punën dhe kanë finalizuar operacionin policor antikanabis të koduar “Mashtërkor”, si rezultat i të cilit janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-Fran Gjeta, 63 vjeç dhe Gentian Gjeta, 29 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Mashterkor, Mirditë;

-Denis Luli, 23 vjeç, banues në Pukë dhe Mariglen Jaku, 19 vjeç, banues në Mirditë.

Në kuadër të operacionit “Mashtërkor”, njëri grup operacional, ndaloi në Rrëshen, për kontroll, shtetasit Gentian Gjeta, Denis Luli dhe Mariglen Jaku. Gjatë kontrollit, iu është gjetur në një çantë krahu dhe iu është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Njëkohësisht, grupi tjetër operacional ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të arrestuarve dhe konkretisht, në banesën e shtetasve Fran Gjeta dhe Gentian Gjeta (babë e bir), janë gjetur të ndara në disa qese dhe janë sekuestruar rreth 31 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 8 palë gërshërë me mbetje lënde narkotike, të cilat dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike, me qëllim shitjen e saj.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.