Prej mbrëmjes të së hënës, policia është në kërkim të Besnik Pjetrit. Ai është autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Grykë Zezë të Lezhës. Pjetri akuzohet se ekzekutoi ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij, Pjetër dhe Gent Përjaku. Ata sapo kishin mbërritur nga Italia, kur u qëlluan për vdekje me armë zjarri nga ish-dhëndri i familjes.

Ndonëse kërkimet vijojnë, autoritetet policore nuk kanë mundur ende të bien në gjurmët e tij.

Shkak për krimin e rëndë dyshohet se u bënë konfliktet e vazhdueshme që kishte me familjen e ish-bashkëshortes, me të cilën kishte rreth 6 vite që ishte ndarë. Ata janë prindër të 2 vajzave. Pikërisht divorci dhe ndarja nga fëmijët duket se nuk pranohej nga Pjetri.

Gazetarja Vera Deda, në një lidhje direkte me Klan News tha këtë të mërkurë se pas ndarjes ish-bashkëshortja e Pjetrit kishte shkuar në Itali. Pas saj kishte shkuar edhe ai, e konfliktet kishin vijuar edhe atje. Sipas gazetares pjesë e konflikteve ishte bërë edhe dhuna në familje.

Pikërisht në Itali, Pjetri ishte arrestuar dhe dënuar me 2 vjet burg. Më pas ishte larguar në Francë e Shqipëri, ndërsa ish-bashkëshortja kishte qëndruar në Itali bashkë me dy vajzat. Mungesa e kontaktit me vajzat, por edhe konfliktet e vazhdueshme me familjen Përjaku dyshohet se u bënë shkak për vrasjen e dyfishtë. Në momentin e ngjarjes, ish-bashkëshortja e Pjetrit ndodhej në Itali.

Pjetër dhe Gent Përjaku u përcollën këtë të mërkurë për në banesën e fundit./tvklan.al