Dhuna ndaj mjekëve nuk njeh kufij. Një mjek është dhunuar rëndë nga babë e bir në provincën Isparta të Turqisë dhe gjtihcka është regjistruar nga kamerat e sigurisë.  

Sipas agjencisë së lajmeve “DHA”,  O.E. dhe i biri G.E., janë paraqitur në një qendër shëndetësore për të marrë raportet shëndetësore, të nevojshme për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit.

Babë e bir iu drejtuan mjekëve të ndryshëm për marrjen e raportit. Fakti që mjekët ia dhanë të birit, por atij jo, e ka nevrikosur së tepërmi babanë, i cili filloi të ulërinte në spital.

Në këtë moment, për të vënë qetësi ndërhyri mjeku Mehmet Akyol, por u përball me dhunën e dy agresorëve.

Ngjarja është regjistruar sekondë pas sekonde edhe nga kamerat e sigurisë të vendosura në qendër shëndetësore, ku shihet se babë e bir sulmojnë mjekun në shkallët. Në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë, të cilët arrestuan agresorët.

Mjeku pësoi një të carë 7 centimetër në kokë, dhe tri fraktura në hundë./tvklan.al