“Babi i vërtetë nuk ishte ai që vdiq, as babai i ri, por ishte një tjetër”



“Babi i vërtetë nuk ishte ai që vdiq, as babai i ri, por ishte një tjetër”

16:56 15/12/2019

Odesa në moshën 13-vjeçare mëson se është e birësuar

“Ka një mesazh për ty” solli sot historinë tepër të veçantë të Odesës, e cila prej 3 vitesh jeton në Itali. Në moshën 9-vjeçare, ajo humbi babain e saj dhe kjo ishte dhimbje e madhe për të. Pak kohë më vonë, mamaja e saj martohet me një tjetër person, që i kishte vdekur bashkëshortja. Fillimi ka qenë i vështirë, por me kalimin e kohës, familja e tij u bë mjaft e dashur për të. Ajo arriti jo vetëm t’i respektonte, por t’i donte dhe madje t’i thërriste atij personi, baba.

Por në moshën 13-vjeçare, ajo mëson se prindërit që mendonte se ishin të prindërit e saj, në fakt nuk ishin kështu. Ajo ishte birësuar prej tyre nga shtëpia e fëmijës në Vlorë. Kjo ka qenë shokuese për të. Ka dashur t’i kërkojë, por gjithmonë ka hezituar sepse kishte frikën e një tjetër refuzimi nga nëna e saj biologjike.

Por ajo e ka marrë guximin dhe ka ardhur në “Ka një mesazh për ty” për të gjetur prindërit e saj biologjikë.

Odesa: Historia ime është pak e komplikuar. Babi më vdiq në moshën 9-vjeçe. Ishte shumë i dashur me mua dhe sot e përjetoj shumë vdekjen e tij pavarësisht se kam qenë e vogël. Ndërkohë mami u detyrua të martohej.

Ardit Gjebrea: Mami u martua me dikë, që i kishte humbur bashkëshortja?

Odesa: Po, kishte të njëjtin fat si neve.

Ardit Gjebrea: Si u gjende tek familja e re?

Odesa: Në fakt, njëçik e vështirë, se të ndryshosh jetën si e kishe në Orikum dhe të shkosh në një fshat të Orikumit, është shumë e vështirë të jetosh. Por unë pak e nga pak u miqësova dhe fillova jo vetëm t’i respektoja, por edhe t’i dua. Që deri dje mund të thoje ishin të huaj, por u bënë njerëzit e mi më të dashur.

Ardit Gjebrea: Si sillej bashkëshorti i ri i mamit me ty?

Odesa: Shumë mirë, kishte të njëjtin shpirt siç kishte babi im. Unë e quaj babi për faktin se më ka trajtuar njësoj si fëmijët e tij, nuk ka bërë dallime edhe pse isha vajzë e gruas.

Ardit Gjebrea: Por në moshën 13–vjeçare, ti mësove diçka?

Odesa: Po, mësova që isha e birësuar.

Ardit Gjebrea: Pra që babi i vërtetë nuk ishte as ai, që ti ndjeve momentin e tmerrshëm të humbjes së tij, se kështu na e ke përshkruar dhe as babi i ri, por babi yt biologjik ishte një tjetër?

Odesa: Po!

Ardit Gjebrea: Që ti nuk e ke njohur kurrë?

Odesa: Se di kush është.

Odesa tregon se një shoqja e saj i rrëfen se ajo është marrë nga shtëpia e fëmijës në Vlorë. Pas këtij lajmi. ajo shkon në shtëpi dhe nuk e gjen mamin e saj, por dajën. I tregon gjithçka që shoqja i kishte thënë dhe daja pranon se ajo është e birësuar.

Odesa: Po është e vërtetë, tha. Mami dhe babi donin një fëmijë, edhe të morën ty atje. Por pavarësisht se ti nuk je gjaku jonë, ti për ne je mbesa jonë. Në fakt asnjëherë nuk kam kuptuar se mund të jem birësuar.

Ardit Gjebrea: U trondite?

Odesa: U trondita, se mendoja se babi im ishte i imi… Por me jetën kam kuptuar se nuk na lidh vetëm gjaku, por na lidh zemra.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha mami?

Odesa: Më tha, e vetmja gjë që unë di, është se mami jot ka qenë adoleshente dhe ishte dashuruar me një djalë nga Vlora sepse studionte dhe kishte mbetur shtatzënë.

Odesa ka treguar se e vetmja gjë që ka zbuluar për mamin e saj është emri i saj Doriana. Një ditë motra e saj e ka telefonuar dhe i ka thënë që ndoshta do ishte shumë mirë që ta kërkonte tek “Ka një mesazh për ty”.

Odesa: Një ditë motra më mori në telefon dhe më tha pse nuk e kërkon tek Arditi, nënën biologjike? I thashë, jam pak skeptike që ta gjej apo jo, sepse nuk dëshiroj sërish të refuzohem nga ajo.

Ardit Gjebrea: Çfarë ke menduar gjatë gjithë këtyre viteve?

Odesa: Kam menduar që pavarësisht se ne bëjmë gabime në jetë në të shkuarën, mund t’i ndreqim ato dhe ajo kurrë nuk erdhi t’i ndreqte, edhe pse gaboi. Por as unë nuk e gjykoj për atë.

Ardit Gjebrea: Të vjen keq që nuk të ka kërkuar?

Odesa: Më vjen keq që nuk më ka kërkuar, por edhe jam mirënjohëse sepse unë kam gjetur dashurinë në një familje. Unë i jam shumë mirënjohëse mamit tim që më rriti dhe ajo do jetë gjithmonë mami im, pavarësisht nëse unë do gjej sot ose jo nënën biologjike./tvklan.al



Të ngjashme