Pas divorcit nga ish-bashkëshortja, Nderimi nuk ka takuar prej 4 vitesh djalin e tij. Kjo është kthyer edhe në një arsye konflikti të fortë me babain, Lefterin që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”. Gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Nderimi pranoi se pas 4 muajve që shlyente detyrimin financiar ndaj djalit, e ndërpreu për arsye se ish-gruaja nuk i lejonte ta takonte.

Ai u shpreh i gatshëm për të vijuar nëse kjo situatë zgjidhet. Njëkohësisht, ai thotë se edhe një kontakt fare i vogël me djalin, rezulton në paraqitjen e tij në rajonin e policisë. Rasti i fundit ka qenë 10 ditë më parë në fshatin Lin dhe vetëm pse e përshëndeti të birin, ish-gruaja e kishte denoncuar.

Nderim: Para 10 ditësh kam qenë në fshatin Lin. Kam takuar djalin, ishte në rrugë djali. I kam folur nga makina.

Eni Çobani: Nga makina? S’ke dalë fare?

Nderim: Nuk kam dalë.

Eni Çobani: E përshëndete?

Nderim: I kam folur djalit, më ka thënë “babi, ik prej këtu”. Në darkë më merr inspektori i policisë në telefon “z.  Nderim, të paraqitesh në rajonin e policisë”.

Eni Çobani: Pse?

Nderim: Nuk e di, kishte bërë zonja denoncim.

Eni Çobani: Kjo është e papranueshme!

Nderim: Shkoj në rajon të policisë, më merr inspektori atje, “ka një kallëzim për ty,” thotë “se ti ke shkelur ligjin. E  para e punës, nuk ke paguar detyrimin ushqimor dhe e dyta, nuk ke të drejtë takimi sot. Pse i ke vajtur djalit për ta takuar?”

Sipas vendimit  të gjykatëws, Nderimi ka të drejtë ta takojë djalin fundjavave. Gjithashtu ai mund ta mbajë 15 ditë gjatë muajit korrik dhe 15 të tjera gjatë dhjetorit./tvklan.al