“Babi qëlloi mamin…” Askush nuk e besoi 3-vjeçarin derisa kafka e saj u gjet në bahçe

“Babi qëlloi mamin…” Askush nuk e besoi 3-vjeçarin derisa kafka e saj u gjet në bahçe

21:49 11/07/2019

Kishte qenë një pyetje nuk kishte marrë përgjigje për më shumë se 2 dekada: Çfarë i ndodhi nënës së re Bonnie Haim?

Më 7 Janar të vitit 1993, Bonnie, në atë kohë 23-vjeçe, nuk kishte shkuar në punë.

Kur policia shkoi në shtëpinë e saj, bashkëshorti Michael tha se e shoqja kishte dalë nga shtëpia rreth orës 23:00, një natë më parë, pasi kishte pasur një zënkë.

Michael shpjegoi se e kishte lënë djalin e tyre 3-vjeçar Aaron me familjen dhe kishte dalë për të kërkuar Bonnie-n, por nuk kishte mundur ta gjente.

Meraku se Bonnie-t mund t’i kishte ndodhur diçka ishte i menjëhershëm, mbi të gjitha sepse askush nuk mund ta besonte se ajo mund të linte Aaron, djalin e saj që e adhuronte aq shumë.

Familja Haim jetonte në një zonë të qetë rezidenciale në Jacksonville të Floridas.

Michael dhe Bonnie punonin të dy në një kompani ndërtimi në pronësi të hallës së tij. Michael ishte menaxher ndërsa Bonnie ekonomiste.

Prioriteti i Bonniet ishte gjithmonë djali i saj, ndaj kur nuk shkoi në punë dhe u zhduk, të gjithë u alarmuan.

Më vonë gjatë asaj dite, një punonjës pastrimi gjeti çantën e Bonniet me 1 250 para kesh në koshin e plehrave të një hoteli. Më pas u gjet makina e saj, në një parking pranë një aeroporti.

U dallua se sedilja e shoferit ishte shtyrë pas, më shumë nga sa do ta kishte pozicionuar Bonnie, që sugjeronte se mjetit i kishte dhënë dikush tjetër.

Michael pranoi para oficerëve të policisë se kishte pasur një zënkë me të atë natë, por insistoi se më pas kishte dalë për ta kërkuar.

Ai kishte telefonuar nënën e tij që të vinte dhe të kujdesej për Aaron kur kishte dalë dhe ishte rikthyer pas 45 minutash, pa Bonnie-n.

Michael nuk kishte telefonuar policinë, duke thënë se nuk kishte përse. Bashkëshortja e kishte braktisur, asgjë më shumë.

Por teksa policia nisi të kishte dyshime teksa hetonte më shumë për jetën e Michael dhe Bonnie.

Dëshmitarë thanë se Michael kishte qenë abuziv më bashkëshorten. Ata e kishin parë që t’i fliste egër Bonnie-t në punë dhe kishte pasur edhe një incident, ku dora e saj kishte mbetur e bllokuar në derën e makinës gjatë kohës që po ziheshin.

U zbulua se Bonnie kishte planifikuar që ta linte Michael dhe të zhvendosej në një apartament bashkë me Aaron, herën e ardhshme që ai do të udhëtonte për punë.

Ajo kishte hapur gjithashtu fshehurazi një llogari bankare dhe kishte depozituar një shumë parash.

Por Michael e zbuloi dhe e detyroi që të mbyllte llogarinë, për këtë arsye Bonnie nisi t’ia jepte paratë miqve të saj të besuar, që t’ia ruanin.

A e shpjegonte kjo shumën e madhe të parave që u gjet në çantën e saj?

Natën që Michael tha se kishin pasur një zënkë, Bonnie kishte telefonuar një mikeshë. Ajo ishte duke qarë dhe e mërzitur, por i kishte premtuar se do ta merrte në telefon sërish në mëngjes. Kjo nuk ndodhi.

Megjithatë zhvillimi më tronditës ndodhi kur djali i vogël u pyet nga një punonjës i çështjes, me trajnim të veçantë.

Aaron i tha atij se “babi e lëndoi mamin“. Më vonë ai tha: “Babi e qëlloi mamin” dhe “babi nuk mundi ta zgjonte”.

Këto fjalë ishin tronditëse, por ato vinin nga një 3-vjeçar.

Aaron tha gjithashtu se makina e nënës së tij ishte në liqen, që nuk ishte e vërtetë.

Michael ishte i dyshuari kryesor, por nuk kishte një trup, apo prova që mund ta lidhnin atë me një krim.

Madje edhe familja e Bonnie-t nuk ishte e sigurt që Aaron e kuptonte se çfarë po thoshte dhe thanë se atij iu ishte bërë lavazh truri nga hetuesit që donin të zgjidhnin çështjen.

Fjala e një të mituri nuk ishte e mjaftueshme për të provuar asgjë.

Megjithatë, me kaq shumë pikëpyetje mbi zhdukjen e Bonnie-t dhe Aaron i konsideruar si dëshmitari i vetëm i vrasjes së nënës së tij, djali u çua në kujdes social. Më vonë u adoptua nga një familje dhe iu dha mbiemri Frase.

Teksa Aaron rritej, kujtimet e tij nisën të veniteshin, por ai nuk e humbi kurrë besimin se babai i kishte vrarë të ëmën. As frika se ai mund t’i bënte keq nuk u largua kurrë.

Askush nuk besonte më se Bonnie ishte gjallë dhe në vitin 1999 ajo u shpall ligjërisht e vdekur.

Michael u zhvendos në Karolinën e Jugut, ku shpenzoi sigurimin e jetës së Bonnie-t.

Aaron Frase

Zbulimi tronditës

Në vitin 2005, Aaron me ndihmën e familjes së tij të re, paditi të atin si përgjegjës për vdekjen e nënës së tij dhe e fitoi çështjen. Ai mori një pasuri prej 26.3 milionë dollarësh dhe pronësinë e shtëpisë ku kishte lindur, aty ku kishte kaluar 3 vite të jetës me nënën e tij.

Që prej vitit 2000, kur Michael ishte larguar, në atë shtëpi jetonin qiraxhinj. Shumë ishin ankuar se kishin pasur një ndjesi të keqe në shtëpi dhe dyshonin se ishte e pushtuar. Qiraja ia kishte ndaluar personave që jetonin aty që të kishin qen, apo që të bënin punime në bahçen e shtëpisë.

Por pronari i ri Aaron ishte i vendosur për të bërë gjithçka duhej për ta rigjallëruar sërish këtë shtëpi. Ishte vendi i fundit ku ai kishte kujtime të nënës së tij.

Në Dhjetor të 2014-s, 21 vjet pas zhdukjes të së ëmës, Aaron tashmë 24-vjeç, po gërmonte bahçen sëbashku me një të afërm.

Aty ndodhej një pishinë dhe një dush për jashtë që nuk përdorej më dhe dyshja po pastronte zonën.

Teksa çanë betonin, Aaron zbuloi një qese plastike, e cila u ça dhe prej saj doli një objekt si arrë kokosi.

Por kur Aaron e mori në dorë dhe e pa nga afër, ai dalloi një vrimë. Kur pa nëpërmjet saj, ai ishte në gjendje të shihte dhëmbë dhe zgavra sysh.

I tmerruar, Aaron kuptoi se po mbante në dorë kafkën e një njeriu.

Shumë shpejt ai doli në konkluzionin se po mbante në dorë kafkën e nënës së tij. Aaron njoftoi policinë dhe nuk kaloi shumë kohë kur testi i ADN-së zbuloi se skeleti i përkiste Bonnie-t.

U përcaktua se Bonnie ishte vrarë me ‘mjete të paspecifikuara’, por pranë trupit të saj u gjet një gëzhojë i kalibrit 22, që përputhej me një armë që Michael kishte në pronësi, ndërsa një tjetër plagë që Bonnie kishte në legen, ishte bërë me armë zjarri.

Michael u arrestua dhe u ekstradua në Jacksonville, ku u akuzua për vrasje të gradës së dytë.

Aaron kishte pasur të drejtë gjatë gjithë kohë. Babai i kishte vrarë të ëmën dhe e kishte varrosur atë në bahçen e shtëpisë.

Në gjyqin e zhvilluar në Prill të këtij viti, prokuroria i tha jurisë së Michael e kishte vrarë Bonnie-n sepse ajo po planifikonte ta linte dhe të merrte me vete Aaron.

“E vërteta ishte atje jashtë, e varrosur në bahçen e shtëpisë“, tha akuza.

Michael Haim

Para gjykatës Michael nuk e pranoi krimin. “E doja gruan time, nuk mund ta lëndoja kurrë”, tha ai. Megjithatë provat ishin të shumta.

Michael, sot 53 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të gradës së dytë dhe në Maj u dënua me burgim të përjetshëm.

“Për 26 vjet donim drejtësi dhe tanimë e kemi. Kemi drejtësi, por nuk kemi Bonnie-n”, tha motra e së ndjerës Liz Peak.

Aaron tha se e kishte ditur gjithmonë që nëna e tij ishte groposur, thjeshtë nuk e dinte se ku. Ai u përpoq të vinte drejtësi për të kur ishte vetëm 3 vjeç, por askush nuk e besoi.

Për vite me radhë kishte qenë i frikësuar se i ati mund t’i bënte keq dhe tanimë ishte i lirë. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi