Bad Bunny, një nga artistët latinë më të njohur në botë, me mbi 44 miliardë dëgjime në Spotify ka përdorur këngën e tij më të fundit për një qëllim jo të zakontë.

Sapo ka publikuar “El Apagon”, por videoklipi nuk është edhe aq i zakonshëm. “BBC” ka zhvilluar një intervistë me regjisorin e tij, Kacho Lopez.

Nuk ishte ideja ime, ishte ideja e Bad Bunny. Ata telefonuan dhe pyetën ‘si e kthen një videoklip muzikor në një dokumentar?”

Nuk është një pyetje e shpeshtë, por ai dhe ekipi e gjetën një mënyrë. Pas 3 minutash muzikë, videoja kalon në një raportim 20-minutësh për disa nga çështjet më urgjente të ishullit të Porto Rikos si mungesa e energjisë elektrike, korrupsioni dhe influenca amerikane.

Është një lloj kali Troje në njëfarë mënyre që përdor popullaritetin dhe platformën e Bad Bunny që të mbërrijë tek njerëzit të cilët nuk po shohin një dokumentar për këto ngjarje. Ata vijnë për t’u kënaqur, argëtuar nga muzika dhe krejt papritur ‘prit, për çfarë po flet ai?”, sqaron regjisori.

Dokumentari prezantohet nga Bianca Graulau, një gazetare në Porto Riko që ka fituar famë përmes rrjeteve sociale si Tik Tok e Instagram me raportimet e saj investigative.

Siç thotë edhe dokumentari, ‘këtu jetojnë njerëz’. Ky nuk është shesh lojërash, nuk është veç një destinacion turistik. Ka njerëz që kanë jetuar këtu për breza me radhë dhe nuk po munden të bëjnë një jetë të mirë”, thotë ajo.

Kanë kaluar 5 vjet qëkur uragani Maria shkatërroi strukturën e Porto Rikos. Prej atëherë, shkëputjet e energjisë janë bërë të zakonshme. Si për t’i përkeqësuar gjërat, pas uraganit Fiona, me mijëra kanë mbetur pa energji elektrike.

Mendoj se është ekuilibri. Tregon Porto Rikon e vërtetë. Një vend që është i bukur, një vend që është i pasur dhe i mrekullueshëm. Por gjithashtu, një vend që ka probleme”, shton Lopez.

Videoja ka arritur 6 milionë shikime. I ka dhënë një platformë të mahnitshme një dokumentari që në një mënyrë tjetër nuk do të arrinte kaq, si shumë të tjerë. Por a do të vazhdojnë shikuesit të qëndrojnë për ta parë nëse Bad Bunny nuk ua kërkon? Porto Rikos dhe botës do iu duhet ta zbulojnë./tvklan.al