Rama: Hapim të gjithë tempujt fetarë

Pas 3 muajve të mbyllura nga koronavirusi xhamitë do të hapen të dielën.

Besimtarët myslimanë do të kenë kështu mundësinë të falin namazin e festës së Fiter Bajramit, pas 30 ditëve agjërim.

Por falja e mëngjesit nuk do të bëhet në shesh, si çdo vit. Besimtarët do ta kryejnë ritualin nëpër xhami.

Secila prej tyre po përgatitet duke respektuar masat që kërkohen për parandalimin e pandemisë.

Në hyrje të çdo xhamie do të këtë dezinfektant, ndërsa besimtarët do të duhet të sjellin me vete sixhadet e faljes.

Kryeministri Rama njoftoi se ishte rënë dakord me komunitetet fetare për t’i hapur tempujt prej javës së ardhshme, ndërsa xhamitë nga e diela.

Ai akuzoi opozitën se është përpjekur të nxisë komunitetin mysliman t’i bashkohet revolucionit të saj imagjinar.

Kreu i komunitetit mysliman uroi besimtarët, që përmbyllën me sukses këtë muaj të sakrificës, që këtë vit ishte ndryshe.

“Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanët e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar”.  

Ceremonia qendrore për kryeqytetin do të mbahet në xhaminë e kokonozëve tek Pazari i Ri.

Të dielën lëvizja do të jetë e kufizuar në 5 bashki, të cilat janë ende në zonën e kuqe.

Tv Klan