Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare deklaroi se Kuvendi duhet të ketë një qëndrim institucional ndaj aktakuzës së bërë publike të mërkurën nga Prokuroria Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Taulant Balla tha se lista e bërë dje publike në media është një tymnajë kundër luftës që ka zhvilluar Kosova, e cila ka qenë për pavarësi dhe liri.

“Ne si Kuvend sot të gjithë njëzëri duhet të shprehim indinjatën e thellë në lidhje me një listë të gjykatës speciale në lidhje me udhëheqësinë e UÇK-së që kthehet herë pas here si një fantazmë aspak e dobishme në interes të krimeve të luftës, por si një mjet për të ngritur një tymnajë kundër luftës që Kosova e ka zhvilluar, për çlirim, për liri dhe për pavarësi. Ne si Kuvend padyshim Komisionin i politikës së jashtme duhet të kemi një qëndrim tonin institucional. Mendoj që Kuvendi të merret me çështje të tilla serioze”, tha Balla.

Të mërkurën në media u bë publike aktakuza e Prokurorisë Speciale kundër Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së dhe disa personave të tjerë. Ata dyshohet se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. /tvklan.al