Taulant Balla i ka hedhur poshtë pretendimet e Fredi Alizotit se mes tyre ka patur një takim për çështjen e audiopërgjimit të Albert Veliut.

Në përfundim të seancës së parë kundër Lulzim Bashës të cilin Balla e ka paditur për shpifje në lidhje me Eurot e gjetura në makinën Toyota Yaris në Durrës, kreu i grupit parlamentar socialist tha se video e shfaqur në emisionin ‘Opinion’ është një tjetër prodhim i Partisë Demokratike.

“Nuk jam takuar me Alizotin, e gjitha një sajesë”.

Edhe kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, personi i dytë i përmendur në video mohon të ketë kontaktuar Alizotin, duke sqaruar përmes një reagimi se as ai nuk është përfshirë në asnjë rast në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtuquajtur “Babale”.

“Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të Prokurorisë, ose Gjykatës. Atë që Alizoti deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye e pavërtetë. Është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë  e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera”.

Në reagimin e policisë thuhet se shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë nga policia e Fierit në zbatim të urdhrit të prokurorit. Policia thotë se është e hapur që Prokuroria ta hetojë edhe këtë çështje në detaje.

Tv Klan