“Të shkohet edhe më lart se shefat e komisariateve”

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte i drejtpërdrejtë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në luftën e saj për goditjen e korrupsionit. Balla kërkoi që të shkohet më lart se shefat e komisariateve.

“Kur erdha në korrik ju pyeta për Drejtorë dhe Shefa Komisariatesh të proceduar nga ana juaj. Më vjen mirë që në këto muaj kemi pasur shefa Komisariati apo shefa Sektori të Policisë së Shtetit të kapur me presh në duar, por duhen edhe më shumë rezultate, edhe në nivele më të larta”, tha ministri.

Balla tha se AMP ka 50% më shumë referime në këto 7 muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me pothuaj 2 herë më shumë punonjës policie të referuar, 257, ndër ta 78 punonjës të arrestuar apo me masa sigurie.

“Edhe kjo është domethënëse. Por duhen më shumë rezultate. Kalojeni pragun e shefave të komisariateve”, shtoi Balla.

Deklaratat u bënë në një ceremoni të certifikimit të punonjësve të trajnuar nga ICITAP në radhët e AMP ku ishte i pranishëm edhe i Ngarkuari me Punë i SHBA-ve në Tiranë, David Wisner.

“Puna që ju keni është jashtëzakonisht e vështirë. Do të keni miq, do të ketë njerëz që ju i njihni pasi në Shqipëri janë të gjithë kushërinj, por integriteti është ai që ka rëndësi”, u shpreh Wisner

Në ceremoni u fol edhe për rritje të trajtimit financiar për punonjësit e policisë dhe trajtimin e tyre me programe mbështetëse.

Tv Klan