Protesta e studentëve është debati kryesor i kësaj të enjte në seancën plenare. Të pranishëm në Kuvend janë përfaqësues nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se të gjitha kërkesat e studentëve do të zgjidhen dhe do të plotësohen një nga një, por jo duke dialoguar me opozitën, pasi sipas tij, ata nuk dinë të dialogojnë.

Edhe pse premtoi se të gjitha pikat e studentëve do të plotësohen, por buxheti nuk mund të ndryshohet, pasi është dërguar për dekretim tek Presidenti Ilir Meta.

“Të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një për një, por jo me dialog me ju, sepse ju nuk dini si të realizohen, por vetëm me dialog me ata që meritojnë gjithë respektin e këtij vendi”.

“Si ka mundësi që guxoni të talleni me ata që janë në shesh, si ta ndryshoj buxhetin kur sot është tek Presidenti Ilir Meta dhe të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit nuk bëhet me 2 gisht letër. 28 vjet tallje dhe doni të bëni dhe këtu tallje”.

Balla tha se qeveria ka iniciuar një proces që do të mundësojë zgjidhjen e të gjitha pikave që kërkojnë studentët.

“Kemi iniciuar një proces që do t’i shkojë deri në fund përmes dialogut, jo vetëm të 8 pikave, por për të çliruar një herë e përgjithmonë një sëmundje të vjetër të universiteteve tona”.

/tvklan.al