Të premten, Këshilli i Rregullores për mandatin e Xhaçkës

Ashtu siç kishin paralajmëruar socialistët kanë dorëzuar në Kuvend projektrezolutën për kujtimin dhe nderimin e viktimave të genocidit serb në Srebrenicë.

Taulant Balla tha se në 7 Korrik kur do të votohet, në Kuvend do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bosnjë-Herzegovinës, teksa paralajmëroi një dokument të ngjashëm edhe për krimet në Kosovë.

“PS ka mbështetur 11 rezoluta dhe deklarata, në 2 prej të cilave është përcaktuar dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, por kurrë nuk do të lejoj që ata që kanë mbështetur makinërinë e luftës me naftë kontrabandë, të kërkojnë të lajnë fajet e tyre me rezolutat, prandaj duroni.”

I pyetur nga mediat lidhur me kërkesën e demokratëve për mbledhjen e Këshillit të Rregullores për heqjen e mandatit të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, Balla tha se mbledhja do të mbahet të premten.

“Ju lutem duroni e prisni. Të gjithë qytetarët do të jenë të qartë se nuk ka të bëjë me asnjë shkelje të Kushtetutës dhe as konflikti të interesave.”

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve mblidhet pas kërkesës së demokratëve, të cilët e akuzojnë Ministren Xhaçka se në shkelje të Kushtetutës ka përfituar statusin e investitorit strategjik, duke përfituar pronë shtetërore në bregdetin e jugut.

Tv Klan