“Presidenti të dekretojë 9 Majin për zgjedhjet e 2021”

Fushatën e lajmëruar nga Lulzim Basha për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet dhe kryebashkiak në bazën e demokratëve, shumica e vlerëson si një strategji për të mbajtur anëtarësinë të karikuar.

Taulant Balla përjashton çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme lokale dhe i kujton Presidentit detyrimin për një datë zgjedhjesh për bashkitë e ngelura pa kryetar.

“Zoti Basha nuk di sesi të mbajë Xhelal Mziun me gajret dhe synon që t’i gënjejë përsëri, është çështje e brendshme e PD. Zgjedhjet për organet e pushtetit vendor sipas Kushtetutës duhet të jenë në 15 Prill-15 Maj të vitit 2023. Sa i përket zgjedhjeve në Bashkinë Shkodër, Durrës, Vorë dhe Rrogozhinë kjo është kompetencë e Presidentit që duhet ta kishte ushtruar këtë kompetencë”.

Për Presidentin ka dhe një sygjerim për datën e zgjedhjeve në 2021.

“Të jetë në 9 Maj, Ditën e Europës dhe fitores mbi antifashizmin”.

E duke folur për kreun e shtetit, kreu i grupit parlamentar i kërkon që të respektojë procedurën për konsultimin me Parlamentin për kandidatët për kreun e ri të KLSH.

Balla nuk zbulon kush do të jetë vota për kandidaturën e 4 të Presidentit për këtë institucion pas rrëzimit të 3 kandidaturave të mëparshme, por le të kuptohet se mazhoranca do të avancojë me propozimin për të emëruar një zv/kryetar për KLSH si mekanizëm zhbllokues.

Lidhur me opinion e fundit të “Venecias” për një nga ligjet e paketës së antishpifjes, Balla kujton se është draft-paraprak ndaj nuk preferon që të komentojë.

Tv Klan