Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Bashkimit Europian me Shqipërinë, që ka të bëjë me çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim.

Në fjalën e tij në Parlament, Balla tha se këtë lajm ia dhanë kolegë nga Parlamenti Europian por dhe nga Parlamentet e vendeve anëtare.

“Tashmë ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shpresoj shumë që brenda orëve në vijim, ditëve në vijim, lidhur dhe me dakordësinë e nevojshme që duhet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe Maqedonia e Veriut ta mbajë këtë moment të rëndësishëm që ka të bëjë me Konferencën e Parë Ndërqeveritare sepse ai është dhe momenti protokollar i fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Pas komunikimeve prej disa orësh me kolegë në Parlamentin Europian, në Komisionin Europian, në Parlamentet e vendeve anëtare, sapo është larguar para pak edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësi të zhvilloj një takim këtu në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë me të cilët ndamë të njëjtin informacion që ua ndava dhe ju, dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare javës tjetër është një fitore shumë e madhe, as e jona, as e juaja, por në radhë të parë është fitorja e të gjithë shqiptarëve.

Dhe prandaj unë do i kërkoja çdo kolegu deputet që ndjen përgjegjësi në radhë të parë për vendin e vetë, që këtë moment historik mos ta ndajnë, këtë fitore të rëndësishme për Shqipërinë mos ta ndajnë por ta përcjellin me përgjegjësinë që i takon këtij momenti historik. Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare natyrshëm është kulmim i kontributeve të njëpasnjëshme të shumë qeverive, por duhet ta pranojmë të gjithë, që kjo qeveri ka meritën e pazëvendësueshme në përmbushjen e të gjitha detyrave, detyrimeve. A kemi mbaruar detyrimet? Jo. Natyrshëm është një proces i gjatë por ajo që na gëzon është që tashmë Shqipëria do të negociojë për t’u anëtarësuar në familjen e madhe të BE.

Dhe prandaj java e ardhshme duhet të jetë një javë solemne në përgjegjësinë që ka secili prej nesh në këtë sallë për të punuar po të kemi parasysh edhe detyrat shumë të rëndësishme që ka Kuvendi në këtë proces”, u shpreh Taulant Balla.  /tvklan.al