Taulant Balla ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranes kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ish nënkomisarin e policisë së Krujës Emiliano Nuhun si dhe gazetarin Basir Çollaku, për lidhjen e emrit të tij me një ngjarje të zhvilluar në 21 Korrik ne komisariatin e Krujës.

Balla pretendon se kreu i opozitës ka shpërdoruar detyrën, ka bërë kallëzim të rremë në adresë të tij si dhe e ka fyer qëllimisht. Për të njëjtat vepra kreu i grupit parlamentar socialist Balla akuzon dhe ish-oficerin e policisë dhe gazetarin Çollaku.

Një ditë më parë u bë publik një denoncim i Emiliano Nuhut që e akuzonte deputetin socialist Rrahman Rrahja se në zyrën e tij në komisariatin e Fushë Krujës e ka kërcënuar me armë sëbashku me të vëllain për ta detyruar të lironte të birin, i cili ishte ndaluar me akuzën se kishte dhunuar dhe tentuar të përdhunonte një vajzë. E gjithë ngjarja e treguar sipas intervistës së dhënë nga Nuhu  ka ndodhur në prani dhe të Taulant Ballës si dhe kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi.

Për këtë denoncim reagoi dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha që e cilësonte Ballën si një politikan bandit të zhytur në botën e krimit.

Balla i përgënjeshtroi akuzat e Nuhut edhe në një dalje publike të mërkurën ndërsa në kallëzimin që i drejton organit të akuzës bën publike dhe axhendën e tij të datës 21 korrik, datën e pretenduar nga oficeri Nuhu se ka qenë i pranishëm në kërcënimin që i është bërë në zyrën e tij.

Tv Klan