Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla shkoi në Selanik për të parë nga afër procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 Majit në zyrat e postës DHL. 

Ndërsa theksoi se vota e diasporës është një moment historik për Shqipërinë europiane, Balla i bëri thirrje operatorit DHL të respektojë kontratën me KQZ.

“Kompania ndërkombëtare DHL duhet të përmbushë një më një detyrimin që ka nga kontrata me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra me shtetin shqiptar. Nuk mund të tolerojmë asnjë sorollatje të bashkatdhetarëve. Kemi paguar si shtet postën vajtje-ardhje dhe duam shërbimin siç duhet ta garantojë reputacioni ndërkombëtar i kësaj kompanie dhe të mos shfajësohet pas nënkontraktorëve”, tha Balla.

Balla sqaroi sërish procedurat e marrjes dhe dorëzimit të zarfit për të gjithë shqiptarët e diasporës.

Sipas të dhënave të KQZ deri më tani janë dërguar mbi 242 mijë zarfe jashtë vendit, nga të cilat mbi 120 mijë janë në dorëzim nga votuesit. Nga këto mbi 8600 zarfe me votën kanë mbërritur në KQZ.

Klan News