Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla tha se listat e hapura janë zgjidhja e duhur për t’i dhënë shqiptarëve dy mundësi, pasi pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të kenë mundësinë të zgjedhin partinë dhe individin. Balla tha se hapja e listave me 2/3 nuk e përjashton mundësinë e hapjes së tyre 100 përqind, siç kërkon opozita jashtë parlamentare.  

“Dua t’ju them shumë qartë PD, amendamentet që miratohen sot në Kuvend janë çelësa që mundësojnë gjithçka, që edhe ju pretendoni se e doni. Amendamentet e sotme e lejojnë edhe 100 përqind listën të hapur, pa dyshim, sepse kush merr vesh pak nga matematika, kur thua jo më pak se 2/3, padyshim e ke dhe 3/3 brenda, për të qenë korrekt me shifër, pra 100 përqind. Që do të thotë, që kjo nuk është 7×7 bëjnë 49, po për Lulin kjo 7×7 bëjnë 42. Në këtë kuptim, unë dua t’i bëj një thirrje të fundit PD. U mundua sot dhe mbrëmë të krijonte grupin parlamentar, shumë mirë që e krijoi grupin parlamentar këtu, por pranimi i listave të hapura, sipas formulës së propozuar sot nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i miratuar sot Kuvendi i Shqipërisë, është zgjidhja e duhur për t’i dhënë shqiptarëve dy mundësi. Deri më sot shqiptarët kanë pasur vetëm 1 mundësi, të zgjedhin partinë. Prej sot kanë mundësinë të zgjedhin edhe individin. Dhe një parti që e ka pasur simbolin këtu e 30 vjet ‘liri demokraci’, sot është kundër këtij simboli për t’i dhënë shqiptarëve dy vota, një për partinë dhe një për kandidatin”.  

Sa i përket koalicioneve, Balla tha se opozita të rrijë e qetë, pasi ato ekzistojnë.

“Sa për çështjen e koalicioneve, rrini të qetë, sepse koalicionet ekzistojnë. Unë po jua them sinqerisht si sekretar i përgjithshëm i PS, po unë ku ta gjej që Luli dhe Mona të jenë bashkë, këta të dy të jenë bashkë është gjëja më e mirë për shqiptarët që më në fund t’u japin hakën dhe padyshim jo në opozitë në 2021. Por me sa kam parë dhe sa shoh, me mundësitë e reja dhe ofertat e reja që vijnë nga opozita parlamentare për qytetarët, jeni të sigurtë që ne do të jemi përsëri në qeverisjen e vendit dhe ju pastaj siç jeni sot, do jetë edhe ai grupi tjetër që u krijua mbrëmë”./tvklan.al