Reforma e re Zgjedhore, e miratuar një vit më parë, nuk doli sipas pritshmërive të mazhorancës. Në fillim të legjislaturës së re, socialistët paralajmërojnë ndryshime të tjera, që do t’i bëjnë nëpërmjet një komisioni të posaçëm.

Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit tha se në fokus do të jetë dhe vota e emigrantëve.

“Menjëherë në Shtator sapo legjislatura e re të fillojë punë, të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes dhe për shkak të marrëveshjes 5 Qershor. Në zgjedhjet e vitit 2025 zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, çdo shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë të ketë të drejtën të votojë”, është shprehur Balla.

Në këtë seancë, bënë betimin dy deputete të reja të Kuvendit, Gentiana Cakrani dhe Jetmira Rrabishta, të cilat do të jenë deputete vetëm për periudhën e mbetur të mandatit të tyre deri në Shtator, kur pritet që të mblidhet Kuvendi ri. Cakrani dhe Rrabishta, të dyja nga listat e vitit 2017, do të jenë deputete në vend të ish-socialistit Bashkim Fino, si dhe ish-kryetarit të PSD, Tom Doshi.

Klan News