Balla: Meta u përpoq ta fusë vendin në një spirale të rrezikshme



Balla: Meta u përpoq ta fusë vendin në një spirale të rrezikshme

16:35 27/10/2020

Presidenca: Reflektoni deri të enjten

Qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mazhoranca e konsideron të papranueshëm. Përmes një deklarate për shtyp, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha këtë të martë se Meta do që të fusë vendin në një spirale të rrezikshme.

Balla shtoi se Meta nuk k pasur për qëllim që të përmirësonte kuadrin zgjedhor me kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve në kod, por sabotimin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Deputeti socialist shtoi se nuk është momenti për t’iu futur një aventure kur foli për kërkesën e Metës për një opinion Komisionit të Venecias.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes Komisionit të Ligjeve ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës për Kodin Zgjedhor, të shumta janë argumentet e rrëzimit që shoqërojnë dekretin, por ajo që dua të them është se rezultati i përket shumicës së deputetëve të Kuvendit për t’i dhënë rrugë hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kod. Duhet refuzuar përpjekja e Metës për ta futur vendin në një spirale të rrezikshme sa kohë që janë më pak se 180 ditë në dispozicion. Ilir Meta për asnjë moment me këtë dekret s’ka pasur për qëllim të përmirësojë kuadrin zgjedhor në Republikën e Shqipërisë, por si gjithmonë pozicioni i tij ekstremist ka qenë sabotimi dhe gjithçka për të penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve të 25 prillit. Për shumicën në këtë Kuvend Komisioni i Venecias është i mirëpritur për të dhënë një opinion të pjekur. Ai opinion do të diskutohet nga të gjitha forcat politike, por do të mbetet për t’u adresuar përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe për të hyrë në një aventurë. Siç e dini implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”, tha Balla.

Pak pas kësaj dalje publike të Ballës reagoi në rrjetet sociale zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të reflektojë deri të enjten.

“Z.Balla, reflektoni dhe thellohuni deri të enjten! Presidenti e dëgjoi thirrjen e Europës! Dëgjojeni edhe ju!  Boll e morët peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Blushi. /tvklan.al




Të ngjashme