Rudina Hajdari: Nuk do të lejojmë që Reforma Zgjedhore të bëhet pazari radhës

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi si pozitiv vendimin e opozitës jashtëparlamentare për t’u ulur në tavolinë për Reformën Zgjedhore. Gjatë nisjen së sesionit të ri parlamentar, Balla tha se Shqipëria ka nevojë që opozita ta kuptojë që dhuna dhe rruga e mos kompromisit janë zgjedhja e gabuar.

“Viti 2020 ka nisur me një qasje të re me disa prej partive të opozitës në lidhje me institucionet demokratike legjitime në vend. Edhe pse i vonuar, ndryshimi 180 gradë i qasjes së opozitës për uljen në tryezën e dialogut është padyshim një reflektim pozitiv. Shqipëria ka nevojë që opozita ta ketë kuptuar përfundimisht që kursi i dhunës dhe mos kompromisit nuk janë zgjedhja e duhur, por e gabuar, tha Balla.

Sipas Ballës, Kuvendi i krijoi mundësinë opozitës jashtëparlamentare që të kishte një vend në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.

Edhe pse opozita e refuzoi, Balla tha se komisioni jo pa qëllim nuk kaloi asnjë amendim për vendim në mënyrë që edhe opozita jashtëparlametare të jepte kontributin e saj.

“Qëndrimi është përmbyllja e kësaj reforme më 15 Mars 2020 duke shfrytëzuar të gjithë hapësirën ligjore që është krijuar me vendimi e kuvendit të vitit 2019. 15 Marsi është afati i fundit. Më 15 Mars ju ftoj në Elbasan për Ditën e Verës, më 15 Mars votojmë Reformën Zgjedhore”, tha Balla.

Fjalim në këtë sesion të parë të Kuvendit mbajti edhe bashkëdrejtuesja e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari. Ajo tregoi arsyet pse u ul në tryezën jashtë Kuvendit me mazhorancën dhe opozitën jashtëparlamentare.

Gjithashtu, Hajdari u shpreh se opozita brenda Kuvendit nuk do ta bllokojë procesin e integrimit të vendit, por nuk do të lejojë që Reforma Zgjedhore të bëhet pazar mes palëve politike.

“U ula në tryezë për të garantuar që Reforma Zgjedhore do të jetë nga ato reforma të cilat do të reformojë sistemin në atë mënyrë që do t’i japë besimin e plotë shqiptarëve për votën që do hedhin nesër, që shqiptarët të jenë në gjendje të zgjedhin dhe jo thjesht të votojnë. Ju sigurojmë që nuk do çedojmë në asnjë lloj pike. Është pika më e rëndësishme dhe do luftojmë fort deri në fund. Nuk do të bëhemi bllokues për procesin e integrimit të vendit, por nga ana tjetër nuk do lejojmë që Reforma Zgjedhore të bëhet pazari i radhës në kurriz të shqiptarëve”, tha Hajdari./tvklan.al