Kryetari i grupit parlamentar të  Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, njëherazi edhe kryetar i grupit parlamentar gjermano-shqiptar, është aktualisht në Gjermani për të lobuar tek deputetët e parlamentit gjerman (Bundestag) që këta të votojnë pro çeljes së negociatave.

“Deutsche Welle” thotë se deputetët e maxhorancës gjermane, e sidomos të partisë kristiandemokrate CDU kanë perceptime të ndryshme për çështjen e çeljes së negociatave, ndërsa qeveria gjermane ende nuk ka dalë me një opinion zyrtar.

Në një intervistë për “DW”, Balla tha se maxhoranca është e hapur për dialog me opozitën, por lidershipi i PD ka artikuluar kërkesa që nuk mund të merren në konsideratë.

“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për një dialog dhe besoj që jemi të maturuar tashmë për të pasur një dialog pa qenë nevoja e miqve të huaj për të ardhur dhe për të na ulur në tavolinë. Jo pa qëllim  Kryeministri Rama në 7 letra të njëpasnjëshme publike, në 6 prej tyre i kërkoi zotit Basha dhe e shtata drejtuar demokratëve të thjeshtë të vendit për të shpjeguar arsyen dhe domosdoshmërinë që ne në këtë fazë të rëndësishme të procesit të realizimit të aspiratës historike për anëtarësim në BE të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak se lidershipi i PD vijon me qasjen kundër reformës në drejtësi dhe zhvillimit normal të demokracisë në Shqipëri duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë.” /tvklan.al