Ministri i Brendshëm Taulant Balla pas një analize të punës 1 vjeçare të Policisë Lezhë foli për situatën problematike të krijuar nga ngjarjet kriminale në këtë qark.


“Lezha është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike dhe detyra jonë është të garantojmë një sezon turistik të sigurt dhe përpjekjet tona fillojnë që tani në Janar, në mënyrë që të garantojmë jo vetëm në Shëngjin, por në të gjitha pikat e rëndësishme të qarkut të kemi një prezencë të shtuar. Forca Kombëtare e Sigurisë do të jetë një mbështetje e rëndësishme për ta garantuar këtë standard të ri të sigurisë publike përgjatë sezonit turistik. “

Siç raporton gazetari i Klan News Martin Marku, Balla u ndal tek vrasjet pa autor të muajve dhe viteve të fundit, ku tha se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete në zbardhjen e këtyre krimeve, ndërsa vëmendje të shtuar do ketë edhe ndaj fenomeneve të gjakmarrjes.

“Pa harruar dy sfida të tjera, njëra lidhet me numrin e lartë të personave në kërkim ku duhet një plan pune i ri për t’i gjetur dhe vënë para drejtësisë, sikurse zbulimi i ngjarjeve të rënda kriminale me pasojë humbjen e jetës ku besoj që do të kemi rezultate të shpejta për të shkuar në zbardhjen e disa prej tyre. Por edhe zbulimin e një numri të konsiderueshëm të  ngjarjeve të vjetra.”

“Janë 45 ngjarje kriminale nga viti 2005 me vrasje e këtej për të cilat u informova. Këto ngjarje të vjetra janë burim i ngjarjeve të reja, të paktën këtë na ka mësuar historia. Detyra e policisë është t’i parandalojë.”

Ai u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, çështje që është nën hetim nga prokuroria e Lezhës. Ministri theksoi se Policia e Shtetit ende nuk ka një përgjigjie lidhur me këtë rast.

“Mbetet një gurë peshe i rëndësishëm sa i përket llogaridhënies sonë ndaj publikut dhe ligjit. Besoj se nuk do jetë e largët dita kur të kemi një komunikim për këtë çështje.”

Në fokus sipas tij, është dhe siguria rrugore e cila mbetet problem, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve me viktima e të plagosur.

“Një prej sfidave tona mbetet parandalimi i ngjarjeve rrugore, edhe sot kemi pasur një ngjarje të rëndë me humbje jete. Kam marrë informacion nga drejtori i qarkut, do thoja është një aksident i pakuptimtë po të kesh parasysh një rrugë të drejtë dhe humbjes së kontrollit të automjetit. Jemi duke bërë diskutime dhe studimet përkatëse për të rritur monitorimin e rrugëve me më shumë teknologji, që lidhet jo vetëm me radarët apo makinat inteligjente.”/tvklan.al