Balla: Bëj thirrje që të rikthehemi në tryezë menjëherë. Le të ulemi t’i diskutojmë emrat

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, në një bashkëbisedim me gazetarët është shprehur se opozita ka mundësi të propozojë 2 kandidatë. Ai ka thënë se në raundin e dytë dhe të tretë ka të drejtë opozita që të propozojë emra dhe më pas do të propozojë mazhoranca.

Balla ka shprehur dëshirën që të vazhdohet komunikimi me opozitën dhe i ka ftuar që të ulen në tryezë dhe të vijojnë diskutimet për presidentin e ri.  

Taulant Balla: Opozita ka mundësi të propozojë 2 kandidatë. Unë besoj se kohën e kemi në dispozicion për të mos e humbur raundin e 2. Kandidati që në raundin e 2 apo të 3 të garojë, duhet të ketë firmat mbështetëse të opozitës. Pikërisht që pas raundit të 3 të kemi të drejtën të propozojmë. Mendoj se fakti që dhe grupet e tjera të opozitës kanë kuptuar të njëjtën gjë që e kemi kuptuar dhe ne. Alibeaj paska kuptuar diçka tjetër. Ne kemi qenë shumë të qartë. Në kohë jemi. Unë jam këtu, po e shpreh publiksht dëshirën për të vazhduar komunikimin. Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes. Unë besoj që opozita e ka mundësinë të mos i çojë dëm dy raundet. Opozita të sjellë emrat. Nëse duan, le të vijnë dhe me më shumë emra. Nëse ti vë kusht që zgjidh një nga këto emra, o s’ka, këtu ja ke hequr të drejtën palës tjetër. Dakordësia është që të gjithë të propozojnë.

Gjatë fjalës së tij, Balla ka thënë se në raundin e katërt mazhoranca do të propozojë kandidatë për presidentë, duke shtuar se nuk ka një emër gati pasi do respektojnë marrëveshjen me opozitën për të ju dhënë kohën që ju duhet për të propozuar emra në raundin e dytë dhe të tretë.

Taulant Balla: Ne kemi mundësinë që të propozojmë, nuk do i propozojmë. Po presim raundin e katërt. Shpreh keqardhjen për tërheqjen e grupit parlamentar të PD. Bëj thirrje që të rikthehemi në tryezë menjëherë. Le të ulemi t’i diskutojmë emrat. Mund të ketë të tjerë që nuk i dimë, por kjo gjë duhet bërë me seriozitet. Nuk ka pasur dakordësi për atë formulën 4, 2,1. Ka pasur dakordësi të mos ketë propozim nga mazhoranca dhe ka pasur inisistim që ne nuk mund të mbështesim me firma një kandidat. Në dy raundet të propozojë opozita. Nëse sjellin 4 emra që nuk përmbushin fare asnjëri prej tyre, për president, atëherë si i bëhet, do të prishet marrëveshja. Ky proces duhet më i lirë dhe negociata duhet të jetë më e hapur. Në rast se gjejmë dakordësinë për një emër, ne të japim dakordësinë që të mbështesim. Nuk mund të thuash ose zgjidh një nga këto 4 ose të denoncoj për shkelje të marrëveshjes. Në dy raunde nuk ka propozim nga mazhoranca, vetëm nga opozita.Debat publik për emra në publik nuk bëjmë. Dëshira është t’i rikthehemi tryezës./tvklan.al