Taulant Balla në një prononcim për mediat solli detaje se çfarë është biseduar në takimin e radhës të drejtuesve politikë të selisë rozë. “Vëmendja jonë është tek njerëzit”, tha Balla, i çili shtoi se në takimin e kësaj të hëne kanë marrë pjesë edhe ministrat në mënyrë që të adresohen sa më mirë problematikat e qytetarëve.

Balla i bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga ajo që e konsideroi “politikë djallëzore me pandeminë”. Berishën, Metën, Bashën e Kryemadhin, kryetari i grupit parlamentar socialist i quajti politikanë të së keqes dhe tha se po përpiqen që të përdorin fatkeqësinë për politikë.

“Vijojmë një komunikim të vazhdueshëm në  çdo çep të territorit. Më lejoni që të shpreh mbështetjen time dhe kolegëve të mi për bluzat e bardha që janë në krye të detyrës, por kryesisht në qendra spitalore ku po përballen me të sëmurët me Covid, apo ansistencës që po u ofrohet me mjekun e familjes. U shpreh falenderimet më të sinqerta për një punë të shkëlqyer që po bëhet. Përfitoj nga ky moment t’i bëj një thirrje miqësore politikanëve të së keqes që të heqin dorë nga politika djallëzore dhe fyerjet me pa të drejtë që u adresojnë atyre që sot janë në krye të detyrës. Nuk bëhet politikë me fatkeqësitë. Nuk ka në asnjë vend të Europës sot një politikë kaq djallëzore që të bëjë politikë me një pandemi. Ajo që më vjen keq është përpjekja e katër politikanëve të së keqes që sot janë bashkë dhe nga Berisha tek Meta, nga Luli tek Monika mundohen të përdorin fatkeqësinë për llumin e tyre politik”, tha Balla.

Ai u pyet edhe për vetëvrasjen e pacientit të tretë me Covid dhe tha se këto raste kanë ndodhur edhe në vende të tjera.

“Raste të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Është keqardhje e madhe dhe ngushëllime familjes, por përgjigjet dhe arsyetimet që kanë ardhur nga Covid 2 për rastin e fundit është përgjigja e thjeshtë dhe e vetme që mund të jepet”.

Sa i përket takimeve të socialistëve, Balla u shpreh se personat që qëndrojnë pa maska janë ata që e kanë kaluar Covid-in.

“Nuk ndodh në asnjë takim tonin që të ketë qytetarë pa maska, me përjashtim të qytetarëve që e kanë kaluar Covid-in”. /tvklan.al