Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e misionit të ODIHR këtë të hënë. Në dalje të selisë rozë, ai pati një prononcim të shkurtër për gazetarët ku u pyet rreth votës së emigrantëve.

Balla u shpreh se PD-ja dhe LSI-ja kanë bllokuar shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Republikës që të votojnë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai u shpreh se “Pengesa që PD dhe LSI i bënë votës së emigrantëve është turp i tyre”.

“Ç’të them unë për  këtë. PD dhe LSI bënë gjithçka kishin mundësi që mos i linin shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë të votojnë. Bllokuan gjithë vendimmarrjen. Nga janari ku akti normativ i rregullatorit ishte gati, kërkuan një muaj kohë. Vajti në Shkurt, pastaj kërkuan një javë kohë, pastaj e shtynë një javë tjetër. Pastaj nuk kthyen përgjigje. PD dhe LSI duhet të mbajnë një përgjegjësi të plotë të një bllokimi të pakuptimtë të një hapi që Shqipëria duhet ta kishte bërë në këtë zgjedhje. Pengesa që PD dhe LSI i bënë votës së emigrantëve është turp i tyre”, tha Balla.

Ai shtoi më tej se duhet që KQZ-ja të përmbyllë sa më shpejt fletën e votimit. Për Ballën, ajo duhet të jetë sa më e thjeshtë në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos nxjerrin vota të pavlefshme.

“Është e rëndësishme që komisioneri të përmbyllë sa më shpejt fletën e votimit me qëllim që shqiptarët të kenë mundësinë të kuptojnë një fletë votimi sa më të thjeshtë, një fletë që të reduktojë çdo lloj mundësie për votë të pavlefshme. Unë e thashë dhe ky është një vlerësim që buron nga rekomandimet e kahershme të ODIHR-i, sa më e thjeshtë dhe më e kuptueshme për qytetarët fleta e votimit, aq më pak e mundshme bëhet mundësia e qytetarëve që të bëjnë një fletë votimi të pavlefshme. Modeli i fletës së votimit në Kosovë është perfekt që ka rezultuar për gjysmën tonë të kombit që është nga ana tjetër e kufirit të  jetë një fletë e volitshme. Kemi një sistem votimi ende për shkak të marrëveshjes së 5 Qershorit me numërues partiakë. Partitë e vogla nuk kanë mundësi që të kenë përfaqësuesit e tyre. Fleta e votimit do të jetë e tillë që të kapet apo skanohet në aparaturën e posaçme. Një fletë votimi më e madhe e bën të pamundur që partitë e papërfaqësuara në grupet e numërimit ta kenë këtë mundësi që ta kenë aksesin e drejtpërdrejtë përmes videos apo përmes ekranit në procesin e numërimit. Prandaj edhe kjo historia që PD krijoi me numrin e pafundmë të kandidatëve është histori që thjesht ka krijuar vonesa të pakuptimta ndërkohë që matematika e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor është shumë qartë. Se nuk ka mundësi që LSI e kupton Kodin si ne dhe PD e kupton kodin Zgjedhor si 7*7 bëjnë 42 apo 49 si tha Luli”, tha Balla.

Ndër të  tjera, Balla shtoi se ka një prirje në radhët e PD-së për të mos zbatuar masat e pandemisë./tvklan.al