Ministri i Brendshëm takohet me strukturat e policisë në doganën e Hani i Hotit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me punonjësit e policisë në Pikën e Kalimit kufitar Hani i Hotit në Shkodër. Balla kërkoi nga uniformat blu që puna për mbarëvajtjen e sezonit turistik të vazhdojë me të njëjtin ritëm.

“Keni zhvilluar një punë shumë të mirë në mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe të fluksit që kanë patur të dyja pikat kufitare që mbulon kjo drejtori, edhe Muriqani edhe Hani i Hotit. Ka pasur një fluks si asnjëherë tjetër. Më vjen mirë për koordinimin edhe nën drejtimin e drejtorit Boshnjaku me policinë kufitare të Republikës së Malit të zi. Edhe unë vetë, qoftë me Kryeministrin Abazoviç, qofte me Ministrin e Brendshëm Axhic, kam patur kontakte ku është dashur nevoja për të ndërhyrë, për të kaluar në një regjim të lehtësuar. Dhe dua t’ju them që sezoni nuk ka mbaruar akoma, ndaj puna vazhdon”.

Balla theksoi që duhet të rritet gatishmëria për të evidentuar çdo lloj forme të krimit kufitar dhe vëmendja të jetë maksimale.

“Kjo është një pikë e rëndësishme, jo vetëm që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, por është pjesë e “Korridorit Blu” dhe natyrshëm që një numër i madh qytetarësh Europian, që nisen nga veriu i Europës zgjedhin për të kaluar edhe në këtë pikë, për të ardhur në Shqipëri apo për të vazhduar poshtë. Kështu që dua t’ju përgëzoj për punën dhe të rrisni gadishmërinë për të evidentuar çdo lloj forme të krimit kufitar.”

Në pikën e kalimit kufitar Han i Hotit gjatë sezonit turistik nuk janë regjistruar radhë të gjata pritje, kjo nga koordinimi mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze.

Klan News