Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka akuzuar Presidentin Ilir Meta si kundërshtarin më të madh të Gjykatës Kushtetuese. Duke folur në Parlament, Balla tha se kriza kushtetuese, sipas tij e shkaktuar nga Meta, po pengon plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky President do të mbahet mend gjatë për shkak se doli dhe u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese. Duke simuluar një krizë kushtetuese, Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në gjykatë. Ekspertët që kanë punuar me ndryshimet kushtetuese kanë parashikuar dhe mekanizmat zhbllokues. Afati kushtetuese 30 ditor është vetëm njëri nga mekanizmat zhbllokues”.

Për të zgjidhur ngërçin e Gjykatës Kushtetuese pas përplasjes mes Presidentit dhe mazhorancës socialiste, Taulant Balla solli rastin e Ukrainës.

“Në rastin e Ukrainës, ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë betimin para Parlamentit dhe jo para Presidentit. Ukraina zgjodhi atë të betimit të anëtarëve para vetë Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ynë po bën ç’është e mundur për të frenuar Reformën në Drejtësi”.

Sa i përket akuzave të Presidentit Ilir Meta ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, Balla i bëri thirrje që të mos sulmojë drejtuesit e institucioneve, aq më tepër në rastin e Dvoranit që dikur ka qenë pjesë e gjyqtarëve në dosjen penale ndaj Metës.

“Dua t’i bëj sot apel Presidentit. Është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera të vendit. Kushtetuta jonë e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh në asnjë vend që Presidenti të marri nëpër gojë kryetarin e KED. Sa kohë që z.Dvorani ka qenë një prej 5 gjyqtarëve të dosjes penale në ngarkim të Ilir Metës e që në atë dosje penale të paktën z.Dvorani ka pasur mendim kundër”, u shpreh Taulant Balla. /tvklan.al