Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në këto zgjedhje, Taulant Balla në një intervistë për gazetarin e Klan News, Enkel Xhangoli ka falenderuar të gjithë votuesit nga diaspora, duke u shprehur i kënaqur nga rezultatet e deritanishme.

Balla thekson se sipas projeksioneve beson se në përfundim të procesit do të rezultojë që 6 nga 10 shqiptarë në diasporë kanë mbështetur Partinë Socialiste.

“Së pari gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen shqiptarëve për këtë besim të madh që i kanë dhënë Edi Ramës dhe PS. Ky është një moment historik për vetë kontekstin ku është Shqipëria dhe kjo votë ishte mbështetja e këtij drejtimi të duhur të Shqipërisë, por edhe pse për herë të parë ishte vota e diasporës duke rregulluar një difiçit, pasi diaspora është një krenari për ne. Vota e diasporës u arrit falë insistimit tonë. Afër 200 mijë vota vijnë nga diaspora dhe nuk është një shifër e vogël dhe imagjinoni u miratua në Korrik të vitit të shkuar dhe u arrit në kaq pak kohë që të votohet. Është një rezultat në pritshmëritë tona. Ka qarqe ku rezultati është i shkëlqyer, kemi edhe qarqe ku mund të kishte qënë më mirë, por në nivel kombëtar besoj që do të jemi në shifrat që 6 nga 10 bashkëatdhetarë tanë në diasporë na kanë mbështetur”, shprehet Balla.

Ndërkohë socialisti Balla u pyet edhe lidhur me akuzat e demokrates Jorida Tabaku, për intimidim të numëruesve në Parkun Olimpik, ku po numërohen votat e diasporës.

Zonja Tabaku ka rezerva se ju keni intimiduar numëruesit në Parkun Olimpik. A është e vërtetë kjo?

Taulant Balla: Më vjen keq që e thotë një kolege dhe një shoqe e imja, por e vërteta është që me të gjithë ekipin edhe me përfaqësues të PD që janë këtu kemi një komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë.

Sa i përket pritshmërive për votën e diaporës, Balla thekson që pret që PS të dali forcë e parë politike edhe në qarkun Shkodër ku në numërimin e votave nga brenda vendit PD-ASHM ka dalë forcë e parë.

“Rezultati është brenda pritshmërive. Vota e diasporës për qarkun Shkodër unë besoj që në fund të procesit, PS do të dali forcë e parë politike, ndërkohë që të gjitha qarqet e tjera me përjashtim të qarkut Kukës, në të gjitha tjerat PS është forcë e parë me diferencë”, thotë socialisti.

Ndërsa sa i takon vendimit për ndarjen e votave nga Greqia, Balla u shpreh se kryekomisioneri Celibashi tejkaloi kopetencat e veta.

/tvklan.al