Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla foli për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike. Për Ballën është fakt që PD është peng i një financimi të dyshimtë rus, që synon influencën e Rusisë në Ballkan.

“Jemi sot para një akti të konfirmuar tashmë nga të gjitha burimet, se për fatin e keq të shqiptarëve, që Partia Demokratike sot dëshmohet të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus, prej më shumë se 1 milionë dollarësh. Michael Carpenter dje tha shumë qartë se kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e një procesi politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, kjo është toka më pjellore, situata më e përkthyer që Rusia të përfitojë dhe të ushqejë më shumë armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit”.

Për të mbështetur këtë, Balla bëri një lidhje mes protestave kombëtare të organizuara nga opozita muajt e fundit. Sipas tij, nuk është rastësi që të dyja këto protesta zhvilloheshin njëkohësisht me ato në Podgoricë e Beograd. Madje Balla tha se edhe protesta e paralajmëruar e 13 Prillit do të zhvillohet pasdite, sepse kështu është porositur.

“Nuk është e rastësishme që më 16 Shkurt të organizohej protestë edhe në Tiranë, edhe në Podgoricë, edhe Beograd. Nuk është e rastësishme që edhe më 16 Mars, të kishte protestë edhe në Podgoricë, edhe në Beograd, edhe në Tiranë. Madje dhe formën e protestës tashmë po e spostojnë sipas formës së protestës atje. Nuk do ta bëjnë më 13 Prill ditën, por do ta bëjnë natën. Ashtu siç janë porositur për t’u bërë edhe atje”.

Pikërisht për këtë arsye Balla tha se duhet rritur fuqia parandaluese e ligjit. Kjo sipas tij mund të vijë duke ashpëruar ligjin për financimin e Partive Politike.

“Ne duhet të forcojmë edhe një ligj tjetër, atë të financimit të partive politike. Të jeni të sigurt që ne do të sjellim një ligj shumë të mirë edhe për financimin e partive politike. Jemi një demokraci e re dhe si demokraci e re, ata që nuk ia duan të mirën Shqipërisë, kanë penetruar për të financuar një prej partive politike më të vjetra në vend, më të madhe në opozitë. Thirrja ime është sot ndaj prokurorisë të vijojë punën me intensitet”./tvklan.al