Kryetari i Grupit Parlamentar i PS , Taulant Balla, ka përshëndetur Operacionin Forca e Ligjit. Sipas Ballës, OFL ka arritur rezultate mjaft të mira deri më tani në goditjen e krimit dhe korrupsionit.

“Në fund të këtij procesi, unë jam tejet i sigurtë se numri i pasurive të sekuestruar dhe vlera monetare, do të jetë shumë e madhe dhe pse jo të rrisim kapacitet financiare të shtetit shqiptar”.

Lidhur me situatën aktuale me koronavirusin, Balla ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se po përhap panik me informacione të pakonfirmuara.

“Personi më i neveritshëm mbetet Sali Berisha, i cili sa herë që ka një epidemi, merr përsipër të shpërndajë dhe të jetë burimi i gjithë alarmeve dhe shpikjes së lajmeve panikuese”.

Ndërkohë pyetjes së a ndihet qeveria e rrezikuar se Ilir Meta mund të shpërndajë Parlamentin, Balla iu përgjigj duke thënë se refuzon të bëjë komente për një President që ka humbur sjelljet kushtetuese.

“Refuzoj të bëj çdo koment për një Presidenti që ka humbur çdo lloj sjellje kushtetuese normale për të vijuar për të qenë President i Republikës. Problemet e lidershipit t’i zgjidhë pa zhurmë brenda opozitës dhe nuk nevojë të shqetësojë mendjet, veshët dhe zemrat e shqiptarëve”.

Deklaratës së Ballës i është përgjigjur zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi, përmes një postimi në Facebook.

“I dashur Tao Tao,
Ti je shumë i zënë me punët e Kongresit që po afron dhe s’ke patur kohë të lexosh deklaratat e shoqes Etilda dhe shoqes Spiropali, pas miratimit të ligjit anti-kushtetues të betimit të gjyqtarëve buzë Lanës, me pretendimin absurd se kanë marrë miratimin e SHBA/BE.
Ju po vazhdoni t’i keqpërdorni ambasadorët dhe të fshihni të vërtetën e grushtit të shtetit.
Si mund të thonë ambasadorët të shkelet Kushtetuta?!
Ju e shkelni e thoni na thanë ambasadat!
Si mund të thonë ambasadorët që të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese?!
Ju e vidhni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Si mund të thonë ambasadorët falsifikoni në dobi të kapjes së shtetit, siç u kap në flagrancë shoqja Etilda?!
Ju i falsifikoni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Presidenti Meta i ka respektuar dhe i respekton denjësisht të gjithë ambasadorët që kanë integritet dhe përfaqësojnë me dinjitet vendet dhe organizatat e tyre, si dhe vlerat e liritë demokratike.
Presidenti Meta në veprimet e tij institucionale kurrë nuk keqpërdor asnjë ambasador dhe diplomat të huaj, por i referohet vetëm Kushtetutës, si ligjit më suprem në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e fundit kushtetuese janë miratuar me 140 vota sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe mbështetjen e SHBA/BE.
Ja provat e fundit si i shpërdoroni ju me pacipësi partnerët tanë të nderuar.
/tvklan.al