“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që të bëhet pjesë e BE.”

Kështu u shpreh drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla gjatë takimit me shqiptarët që jetojnë në Toronto.

Duke e cilësuar si një boshllëk për vendin largimin e emigrantëve drejt Kanadasë, Balla u shpreh i sigurt se mandati i 4, do të jetë me Shqipërinë në BE.

“Po jua them me plot siguri, ky mandat i ri është ai ku do ta shohim Shqipërinë pjesë e BE. Po jua them si politikan i vjetër, 20 vjet tashmë, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, se dhjetë vitet e fundit kanë qenë 10 vite të rëndësishme transformimi të vërtetë dhe përmbushjes së këtyre kushteve. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ndaj kam ardhur këtu t’ju kërkoj të regjistroheni.”

Balla tha se politika shqiptare do ketë një qasje tjetër ndaj diasporës, pas zgjedhjeve.

“Si unë edhe kolegë të tjerë do vijnë shumë më shpesh në Toronto, për llogaridhënie. Të njëjtën gjë kemi bërë, unë jam një deputet që nuk kam munguar në takime me zgjedhësit në zonën time elektorale. Ne do kemi përfaqësues të diasporës në listat tona.”

Në fund, drejtuesi politik i PS për diasporën teksa u kërkoi votën emigrantëve shqiptarë në Kanada, tha se Partia Socialiste është oferta më e mirë sot për sot.

Tv Klan