“U dakordësua për luftën kundër Krimit të Organizuar, krimin kibernetik dhe trafikimit”

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u takua në Hagë me drejtoreshën ekzekutive të Europol, Catherine De Bolle. Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit me Europolpër të çuar përpara procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Sipas Ballës, revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet lidhjet e krimit me policinë dhe drejtësinë.

“Është një proces i rëndësishëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e besueshmërisë së Policisë së Shtetit tek qytetarët, dhe për këtë qëllim do të vazhdojmë të shkëmbejmë informacion të vlefshëm që lidhet me këtë proces, për të ndarë një herë e përgjithmonë ata punonjës policie që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri në interes të objektivave dhe qëllimeve të Policisë së Shtetit, me ata punonjës të Policisë së Shtetit që gjatë aktivitetit apo ushtrimit të detyrës së tyre ndajnë informacion ose dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit me grupet apo individë kriminal”.

Balla tha se në fokus është edhe lufta kundër krimit të organizuar, si dhe ajo kundër krimit kibernetik, për të cilat Europol do të ofrojë ekspertizën më të mirë për Policinë Shqiptare.

“Bashkëpunimi me Europol gjatë vitit 2024 do të njohë një nivel tjetër, duke e shtrirë këtë në 120 aktivitete operacionale të përbashkëta ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme të zbatimit të tyre në territorin europian, pra jo vetëm në Shqipëri, por edhe në një pjesë të rëndësishme të vendeve anëtarë të BE”, theksoi ministri i Brendshëm, pas takimit të nivelit të lartë.”

Gjatë vizitës në Hagë, Balla u takua edhe me presidentin e Eurojust, Ladislav Hamran. Në fokus të bisedës në këtë takim ishin çështjet e bashkëpunimit për goditjen e grupeve kriminale, dhe sidomos për kapjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Klan News