Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla thotë se vendimi i disa ditëve më parë për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë është historik. Nga Saranda, atje ku ndodhej për promovimin e librit të kolegut të tij Fate Velaj, Balla tha se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Është fakt i pakundërshtueshëm se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve. Listat e mbyllura ishin pengesë për përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në parlament”, thotë Balla.

Prandaj shprehet krenar se me vendimin e marrë në Kuvend, PS është vendosur në anën e duhur të historisë sipas tij.

“U vendos në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së plurarizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin, jo vetëm partinë, por dhe deputetin që duan”, thotë Balla.

Kundërshtarëve u thotë se janë vendosur në anën e gabuar të historisë. “Ata që janë kundër vendimit pa kthim tashmë të hapjes së listave, kanë vendosur të jenë në anën e gabuar të historisë dhe të jenë kundër popullit të vet. Kjo do të thotë të mos kesh besim te populli yt dhe të tregosh se nuk e meriton besimin e tij për sa kohë nuk je në gjendje t’i japësh mundësinë që të bëjë zgjedhjen e vet”./tvklan.al