Rekomandimet e “Venecias” mund të implementohen edhe për zgjedhjet e 25 Prillit

Pavarësisht thirrjeve që erdhën nga Brukseli por dhe kreu i shtetit si dhe opozita parlamentare shumica do të rrëzojë në Kuvend dekretin e Metës që kthen për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Elektoral. Por Taulant Balla një ditë përpara votimit ka lënë të kuptohet se ka hapësira ligjore që rekomandimet e Venecias të mund të reflektohen edhe për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Kodi do të hyjë në fuqi dhe më pas do të kemi mundësi të mund të adresohen edhe opinionet e “Venecias” edhe përtej 25 Prillit. Shqipërisë i duhet sot Kodi Zgjedhor në fuqi që institucionet të marrin kohën e përgatitjes së zgjedhjeve.  Vetëm kështu si veprojmë ne është e mundur, e kundërta është e pamundur”.

Për Ballën, Meta po dëshmon standard të dyfishtë lidhur me rëndësinë që kanë opinionet e Venecias, duke i kujtuar deklaratat e tij lidhur me këtë institucion kur shumica ju drejtua për çështjen e Gjykatës Kushtetuese si dhe ligjit të medias.

Pasditen e së martës, pasi Komisioni i Ligjeve e rrëzoi dekretin e Metës, Presidenti i Komisionit të Venecias i ktheu përgjigje Presidentit duke lajmëruar se do të marrin në shqyrtim kërkesën e tij në seancë e parë të muajit Dhjetor.

Tv Klan