Balla zbardh diskutimin me Presidentin Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve

Balla zbardh diskutimin me Presidentin Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve

10:22 13/06/2019

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zbardhur diskutimin me Presidentin Ilir Meta 9 muaj më parë, kur u caktua data 30 Qershor për zgjedhjet vendore.

Duke prezantuar projekt-rezolutën në Parlament kundër vendimit të Presidentit që anuloi datën e zgjedhjeve, Balla tha se ai kishte kërkuar që zgjedhjet të mbaheshin në 9 Qershor dhe jo në datë 30. Kjo për shkak të sezonit turistik.

Megjithatë, sikurse thotë edhe Balla vetë, ai u bind nga argumentimi i kreut të shtetit dhe u vendos në konsultim edhe me partitë e tjera që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin më 30 Qershor 2019.

“Presidenti ka vetëm një kompetencë, atë të caktimit të datës së zgjedhjeve. Presidenti nuk mund dhe nuk e zgjedh dot periudhën zgjedhore. Është e përcaktuar me ligj. Brenda periudhës zgjedhore, Presidenti mund të zgjedhë vetëm dy të diela më të afërta me datën e përfundimit të mandatit. Identifikimin e datës Presidenti është i detyruar ta bëjë në konsultë me partitë parlamentare. Si rregull caktimi i datës është rezultat i një procesi konsensual. Para 9 muajsh, kryetari i shtetit e ka kryer këtë procedurë dhe unë si kryetar i grupit parlamentar të PS i kam propozuar datën 9 Qershor. Presidenti me të drejtë tha janë vetëm dy data, ose 23 ose 30. Arsyetimi im ishte që zgjedhjet mos ndikonin në sezonin turistik. Presidenti i Republikës më bindi dhe unë u binda që data 30 Qershor është e vetmja datë dhe data e fundit e zhvillimit të zgjedhjeve”, u shpreh Taulant Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS e konsideroi të pavlefshëm dhe në tejkalim të kompetencave të Presidentit vendimin e Ilir Metës që anuloi me dekret datën e zgjedhjeve vendore.

“Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës, dhe duke vlerësuar këta akt si një akt absolutisht të pavlefshëm të marrë në kapërcim të kompetencave dhe në kundërshtim flagrant të parimeve kushtetuese dhe duke konsideruar këtë akt që synon të pengojë realizimin e të drejtës kushtetutese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur me votën e tyre përfaqësuesit e pushtetit vendor, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kam kërkuar këtë debat. Është hera e parë që mbahet në 28 vite të demokracisë shqiptare në përfundim të të cilit do t’ju kërkoja të gjithëve të miratonim së bashku një rezolutë sipas draftit që keni përpara. Dekreti i datës 10 Qershor është antikushtetues. Zgjedhjet do të mbahen në datë 30 Qershor”, tha Balla.  /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT