“Shkeljet me Kushtetuesen t’i shtohen Komisionit Hetimor”

Maxhoranca bën një tjetër hap për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Sekretari i Përgjithshëm i Socialistëve, Taulant Balla, ka kërkuar që procedura e ndjekur nga kreu i shtetit me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, të jetë objekt i Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Meta. 

“Edhe këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Duke vërejtur se shkelja e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës tashmë është bërë kronike, përmes kësaj kërkese vlerësojmë se edhe veprimet e mosveprimet e tij të fundit duhet të bëhen pjesë e vlerësimit nga Komisioni Hetimor i ngritur për këtë qëllim.”

E teksa Presidenti Meta akuzon Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardjan Dvorani se në shkelje të ligjit i ka marrë kompetencën kushtetuese në procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, maxhoranca thotë se është kreu i shtetit ai që i ka marrë kompetencat KED dhe ka përdorur në mënyrë abuzive pushtetin, duke mos dekretuar në Gjykatën e Kushtetuese, Arta Vorpsin.

“Shkeljet kushtetuese në lidhje me refuzimin e kryerjes së betimit të Znj. Arta Vorpsi: 1. është cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën. 2. është shkelur detyrimi kushtetues për të realizuar betimin e gjyqtarit kushtetues. 3. është cenuar funksionaliteti i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese 4. është cenuar e drejta e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues brenda afateve të arsyeshme”.

“Presidenti ka refuzuar të plotësojë një detyrim kushtetues, duke bllokuar një gjyqtar kushtetues të emëruar sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjit, të ushtrojë detyrën. Me ketë refuzim Presidenti jo vetëm i mohon të drejtën e mandatit të ligjshëm një gjyqtari kushtetues, por edhe cënon funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, duke ndikuar në mosplotësimin e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve të kërkuar nga ligji për mbledhjen e gjyqtarëve dhe marrjen e vendimeve të vlefshme.”

Por teksa Presidenti Meta në të gjitha përplasjet me maxhorancën i ka kujtuar asaj asin nën mëngë, atë për shpërndarjen e parlamentit, Taulant Balla e fton të lexojë mirë Kushtetutën.

“Kush kupton sadopak jurisprudencë në këtë vend, e di që Kuvendi e ka të drejtën ta shkarkojë Presidentin e Republikës në bazë të një procesi rigoroz kushtetues që buron nga një raport i Komisionit Hetimor qoftë ky, apo ndonjë komision tjetër hetimor që është ngritur për shkelje të rënda të Kushtetutës. Presidenti i Republikës së Shqipërisë sheh ëndrra me sy hapur kur flet edhe për gjëja për dekrete që mund të shpërndajnë Parlamentin. Gjeni nenin e Kushtetutës që Presidenti i Republikës e paska këtë të drejtë.”

E vetmja kompetencë, sipas Ballës, që ka Presidenti në lidhje me Kuvendin është të thërrasë pas zgjedhjeve seancën e parë plenare.

Tv Klan