Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” se Edmond Begon, i dënuar më parë në Itali për trafik droge, ia kishin prezantuar zyrtarë të lartë të Komunitetit Mysliman.

“E njoh. Sot për herë të parë në emisionin tënd do të them rrethanat në të cilat e njoha. Zotëria në fjalë më është prezantuar nga disa prej zyrtarëve më të lartë të Komunitetit Mysliman dhe zotëria në fjalë si sipërmarrës në vitin 2015, kur e kam njohur për herë të parë, fundi i 2014 dhe fillimi i 2015 në mos gaboj, ka kontribuuar në një prej xhamive të zonës sime elektorale për të cilën i jam shumë mirënjohës. E kam falenderuar dhe prej atij momenti e kam njohur… Sepse edhe unë edhe ti kemi pirë kafe në lokalin e atij personi, tek lokali përballë Venecias dhe sigurisht që e njoh.”

Por në një postim në rrjetet sociale, deputeti demokrat Ervin Salianji e hodhi poshtë këtë deklaratë, duke thënë se Balla dhe Bego kanë udhëtuar bashkë që prej vitit 2013.

49-vjeçari Edmond Bego, i dënuar në Itali për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale u vu në fokusin e akuzave të opozitës pas ndalimit të tij disa ditor nga autoritetet greke të Igumenicës kur po kthehej nga pushimet me familjen në Korfuz.

Partia Demokratike ka vënë nën akuzë Kryetarin e Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballën si mbështetës politik i biznesmenit, duke i përmendur edhe një tender të OST-së me vlerë 100 milionë lekë në Librazhd dhe një tender si nënkontraktor në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Mbrëmjen e së mërkurës, Balla pranoi edhe se ka udhëtuar me Begon drejt Danimarkës, sëbashku me gazetarë dhe persona të tjerë, ku kanë parë ndeshjen Danimarkë-Shqipëri.

/tvklan.al