Çfarë do të ndodhë me krizën politike në vend dhe cilat do të jenë skenarët për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 Qershor, është diskutuar sonte në “Opinion” në Tv Klan. Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla këmbënguli se zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 Qershor. Ndërsa analisti dhe gazetari Armand Shkullaku theksoi se zgjedhje në datën 30 Qershor nuk do të ketë, por do të zhvillohen në një moment të dytë. Ndërsa analisti Mustafa Nano u shpreh se opozita ka kapacitetin të prishë zgjedhjet nëse merr këtë vendim.

Armand Shkullaku: Nuk do bëhen zgjedhje pa opozitën më 30 Qershor. Mund të bëhen më vonë, mund të shtyhen, por zgjedhje në 2019 me një parti politike të vetme në garë pa kandidatë konkurrentë është absurde. Nëse opozita PD-LSI është e parëndësishme atëherë le të shkojnë me kë parti të duan, me opozitën që ka në Parlament. Unë them që nuk mund të ketë. Edhe kjo pjesa e fushatën e çon akoma më tej groteskun. Bëhet fushatë për çfarë? Kë do rivalizosh? Kë program do konkurrosh në zgjedhjet lokale? Çfarë kuptimi ka fushata kur je me një kandidat të vetëm. 30 është shenja e parë që do lëshohet. Kryeministri dhe lideri i mazhorancës nuk mund të thotë sot që, po e diskutojmë dhe datën e zgjedhjeve i gatshëm jam, sepse i bie që të shkojë në një negociatë i kapitulluar që në fillim. Ajo është gjëja e fundit që një lider politik lëshon.

Taulant Balla: Nuk ndryshon data sepse nuk e kemi as ne, as Presidenti, as pala tjetër. Data 30 është një datë e fiksuar. Nesër është dita e parë e fushatës. Po ju them data 30 nuk ndryshon. Skenari më i mirë për Partinë Demokratike dhe LSI-në në rast se nuk hyn deri nesër-pasnesër në zgjedhje, është që të respektojnë ligjin, Kodin Zgjedhor, Kushtetutën, Kodin Penal. Bojkotuan, dorëzuan, dogjën mandatet nga Parlamenti, sot Parlamenti është tërësisht funksional. Çështje e tyre. PD dhe LSI e kanë shumë gabim që mund të tentojnë të çojnë ndërmend që në Shqipëri zgjedhjet mund të zhvillohen kur të dojë PD apo LSI. Zgjedhjet në Shqipëri do të zhvillohen në 30 Qershor sepse dua t’ua them që në fillim të këtij debati. Kësaj radhe, po ja them gjithë shqiptarëve që na ndjekin, që nuk lëviz me 1 orë. Në orën 07:00 të mëngjesit në datë 30 Qershor shqiptarët janë të lutur të marrin pjesë në zgjedhje.

Blendi Fevziu: Po ju bllokoi opozita? Po bllokoi qendrat e votimit?

Taulant Balla: Nuk ka asnjë budalla sot, të marri përsipër të pengojë një zgjedhës të vetëm të shkojë të votojë sepse e di fare mirë që me propozimin e PD dënohesh deri në 5 vite burg për të penguar një zgjedhës.

Mustafa Nano: Unë parashikoj që opozita të mos dalë, është një version. Por nëse opozita merr vendimin e madh t’i prishi zgjedhjet, opozita e ka fuqinë për t’i prishur zgjedhjet, të paktën pjesërisht. Këtë zgjedhje e shoh si harakiri të opozitës. Por ajo fuqinë për t’i prishur e ka. /tvklan.al