Kryetari i Partisë Socialiste ka mbledhur sot në selinë e rozë të gjithë drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke folur për gazetarët pas mbledhjes tha se është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 Prillit të jenë demokratike dhe rezultati i tyre të pranohet nga të gjitha partitë, një mesazh ky të cilin ia adresoi Partisë Demokratike.

“Të gjithë jemi të detyruar të respketojmë librin e rregullave të vendosura nga KQZ që buron nga Kodi Zgjedhor në respekt të standardit të zgjedhjeve. Është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 Prillit të jenë zgjedhje me standarde demokratike dhe për këtë qëllim do të mirëpresim delegacionin e ODIHR në funksion të zgjedhjeve të lira e demokratike sepse shpresoj që Partia Demokratike zgjedhjet e 25 Prillit t’i respektojë”.

Me drejtuesit e qarqeve, në mbledhje u diskutua edhe për kandidatët e PS në këto zgjedhje.

“Jam i sigurt që në të gjitha qarqet do të kemi përfaqësues që kanë ardhur përmes këtij procesi. Ne kemi përmbyllur edhe procesin për të vlerësuar ekipin aktual të deputetëve. Kryesia e PS do të diskutojë dhe listën përfundimtare. Për shkak të dritares dhe mundësisë që ka ofruar ndryshimi i Kodit Zgjedhor, në të gjitha qarqet e gjithë lista e kandidatëve do të jetë uniforme. Do të jenë qytetarët ata që do ta bëjnë renditjen”. /tvklan.al