Panairi kulturor në Beograd në 1 Shtator, në 2 Shtator samiti mes liderëve

Përveç marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, Open Balkan pritet të luajë një rol të rëndësishëm edhe për turizmin në Ballkan. Hapi i parë pritet të hidhet në 1 Shtator, kur në Beograd do të zhvillohet panairi kulturor. Ky panair do të bashkojë deri në datën 4 Shtator, prodhuesit më të mirë të verës nga vendet e Ballkanit dhe jo vetëm.

Drejt Beogradit do të udhëtojë dhe kryeministri Edi Rama, ndërsa konfirmohet edhe pjesëmarrja e 26 ekspozuesve nga Shqipëria.

Në panairin e Beogradit pritet të marrin pjesë mbi 333 ekspozues nga 22 vende. Do të prezantohen 160 ekspozues nga Serbia, 26 nga Shqipëria, ndërsa 47 ekspozues do të vijnë nga Maqedonia e Veriut. Krahas vendeve-anëtare të Ballkanit të Hapur, priten ekspozues edhe nga Kroacia, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera.

Panairi do të hapet më 1 Shtator nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, ndërsa më 2 Shtator është planifikuar samiti i liderëve.

Gjatë panairit, vizituesit do të kenë mundësi të shohin salla të ndryshme të definuara tematike dhe do të mund të edukohen dhe të mësojnë gjithçka që dëshirojnë të dinë për historinë dhe prejardhjen e verës, procesin e prodhimit, llojet e verërave, konsumimin dhe t’i shijojnë dhe të blejnë disa nga verërat më të mira në rajonin e Ballkanit dhe botës.

Klan News