Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të enjte se Ballkani i Hapur është ideja e duhur dhe që hap pas hapi do të përqafohet nga të gjithë. Ai u shpreh se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, por duhet të vazhdojë në shtjellimin dhe zbatimin e kësaj ideje.

Sipas Ramës, nuk ka asnjë mënyrë tjetër veçse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të hapen me njëra tjetrën, pasi kjo gjë ka për të qenë detyrim kur të gjitha vendet të bëhen pjesë e BE-së.

“Jam i bindur që Ballkani i Hapur është ideja e duhur në kohën e duhur dhe padiskutim që të gjithë do ta përqafojnë këtë ide hap pas hapi. Ne, Shqipëria nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të vazhdojmë në shtjellimin dhe zbatimin e kësaj ideje. Kjo është e ardhmja. Nuk ka mundësi tjetër veçse të hapemi plotësisht me njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë në rajon një hapësirë që të jetë një shëmbëlltyrë e asaj që do të jemi edhe individualisht si shtete dhe gjithë bashkë si Ballkan Perëndimor në BE. Kështu do të fitojmë kohë sepse sidoqoftë në të gjitha rastet Ballkanin e Hapur do të jemi të detyruar ta bëjmë dhe nuk do të kemi asnjë rrugë tjetër kur të hyjmë në BE. Do të ishte një ekstra sforco dhe një ekstra kohë e humbur. Duke e bërë sot dhe me bindje e efikasitet jo vetëm që fitojmë nga pikëpamja e ngrehinës së funksionimit juridik në territoralitetit të BP një hapësirë funksionale të katër lirive të BE, por i japim vetes mundësinë për të rritur ekonominë tonë. Asnjë nga vendet tona nuk e ka luksin që ta lërë ekonominë mënjanë dhe të merret me politikën për arsye interesash partiake të brendshme”, tha Rama.

“Dhëndurë në tentativë”, Rama: Të mos e humbim fokusin për integrimin, është rruga jonë

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një ceremonie të organizuar për 30-vjetorin e prezencës së Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert” në Shqipëri se vendi nuk duhet ta humbasë fokusin për integrimin europian pavarësisht se çfarë vendimi merr familja europiane. Rama tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë jo sepse ia kanë imponuar të tjerët, por sepse është zgjedhja, rruga dhe qëllimi i vendit integrimi.

“Që për ne kjo ka qenë një periudhë në një farë mënyre maturimi dhe kuptimi më i drejtë dhe më i plotë i këtij procesi dhe i vetë natyrës kontradiktore dhe nganjëherë dhe gjithmonë e më shpesh të paparashikueshme të procesit. Është fare e qartë sidomos me këtë shpërthimin të papritur së fundmi të problemit të Bullgarisë që ky është një proces ku ne duhet të mos e humbin fokusin nga fakti themelor se jemi në këtë proces jo sepse na e kanë imponuar të tjerët. Jemi për herë të parë si komb, si popull si shtet, në një proces që e ka zgjedhur populli vetë dhe e ka zgjedhur 30 vjet më parë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së përbashkët europiane. Na duhet të bëjmë çdo ditë më shumë se ç’bëmë dje pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, pavarësisht se çfarë kushtesh shtohen në Bundestag apo kudoqoftë tjetër apo kushedi se çfarë kushtesh dalin në Bullgari. Këto janë të ndara nga njëra-tjetra. Kjo është zgjedhja jonë, kjo është rruga jonë, ky është qëllimi ynë dhe detyrimi ynë. Më saktë borxhi ynë ndaj gjeneratave të tjera”, tha Rama.

Rama tha se asnjëherë nuk dihet se çfarë vendimmarrje do të marrë BE sa i përket  integrimit.

“Pavarësisht nëse quhemi kandidatë, nëse quhemi, nuk e di si quhemi tani se u bëmë ca vite që u bëmë kandidatë po le të themi dhëndurë në tentativë të familjes europianë. Pavarësisht se quhemi vend që jemi në negociata e kështu me radhë. Këto momente nuk varen nga ne, por se çfarë vendoset nga familja e bashkuar europiane mes 27 vendeve. E keni parë që është një vendimmarrje që nuk parashikohet deri në fund. Kujt i shkonte në mendje që do dilte Bullgaria. Ne e kishim fokusin si do shkonin zgjedhjet në Holandë dhe kishim bindjen që kur Holanda të çlirohej nga barra e zgjedhjeve shkon del Bullgaria nga ana tjetër. Askush nuk mund ta parashikojë 100% që nuk do dalë një tjetër. Bullgaria, mos harroni që para 2 vjetësh, ishte dakord, nuk ishte fare problemi. Ne na duhet të fokusohemi tek vetja, tek rruga jonë dhe puna jonë dhe të bëjmë maksimumin që të përfitojmë nga kjo dije”, tha Rama./tvklan.al